27 Prill 2024

OSBE kërkoi përmirësimin e transportit me autobus humanitar

Prishtinë, 30 maj - Institucionet e Kosovës u ofrojnë komuniteteve dhe grupeve tjera të cenuara shërbimin shumë të nevojshëm të transportit humanitar. Mirëpo mungesa e koordinimit dhe mbikëqyrjes procedurale kanë bërë që ky shërbim të mos i përgjigjet nevojave në rritje të shfrytëzuesve të këtij transporti, thuhet në një raport të OSBE-së të publikuar sot. 

Transporti humanitar me autobus është një shërbim falas i cili u mundëson komuniteteve dhe grupeve të cenuara që jetojnë në mjedise të izoluara që të kenë qasje të sigurt dhe të rregullt në të mirat dhe shërbimet esenciale.

“Unë jam i kënaqur me progresin e arritur në ofrimin e transportit humanitar me autobus gjatë katër viteve të fundit, sidomos me zgjerimin e këtyre shërbimeve me 13 linja shtesë, por edhe me rënien e ndjeshme të numrit të incidenteve të raportuara të sigurisë,” tha shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer. 

“Kjo ka rëndësi të veçantë pasi që raporti ynë tregon qartë se grupet e cenuara dhe komunitetet vazhdojnë të jenë tejet të varur në transportin humanitar për të pasur qasje në të drejtat dhe shërbimet siç janë arsimimi, punësimi, kujdesi shëndetësor dhe asistenca sociale. Pra është qenësore që ky shërbim të vazhdojë të ofrohet”, shtoi Almhofer.

Raporti vëren se mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe suspendimi i prolonguar i mekanizmit mbikëqyrës të shërbimit, Komisionit Këshillëdhënës të Transportit, ka penguar përmirësimin e mëtejmë të shërbimit siç është shtimi i numrit të autobusëve dhe stacioneve që do ta sillnin këtë shërbim më afër atyre që kanë nevojë për të.

Për më tepër, raporti thotë se zvogëlimet e planifikuara buxhetore dhe reforma e propozuar e kornizës administrative mund të rezultojnë me reduktime substanciale të shërbimit dhe mund të ndikojë negativisht te përfituesit.

Ambasadori Almhofer i ka bërë thirrje Ministrive të Infrastrukturës, asaj për Komunitete dhe Kthim si dhe të Administrimit të Pushtetit Lokal që ta mbajnë përkushtimin aktual për transportin humanitar me autobus dhe të sigurojnë që korniza e re administrative të jetë e vendosur në atë mënyrë që të ketë përmirësime të mëtejme për këtë shërbim të rëndësishëm për komunitetet dhe grupet e cenuara.

Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me promovimin e të drejtave të njeriut dhe demokratizimin. Ky mision ka monitoruar dhe raportuar për transportin humanitar me autobus që nga viti 2006, atëherë kur përgjegjësia për këtë lloj shërbimi qe transferuar te institucionet e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)