Nisin punimet në rrugën Mramor - Grashticë

Prishtinë, 20 maj - Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, do të inauguronjë fillimin e punimeve të rrugës e cila lidhë fshatrat Mramor dhe Grashticë të komunës së Prishtinës.
Ministria e Infrastrukturës do të financojë projektin për zgjerimin e rrugës unazore Liqeni i Badovcit - Mramor - Grashticë, në vlerë prej 1,242,216.01 eurosh, me një gjatësi prej 4,690.00 metrash.
Ky projekt rrugor është shumë i rëndësishëm për banorët e kësaj zone, si një rrugë mjaft e frekuentuar, e cila lidhë shumë fshatra të komunës së Prishtinës, të Gjilanit dhe më gjerë.
Po ashtu, financimi i këtij projekti infrastrukturor do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, si dhe do të kontribuojë në zhvillimin më të hovshëm të kësaj pjese të rëndësishme të komunës së Prishtinës.
Përurimi i këtyre punimeve, do të bëhet sot në fillim të fshatit Mramor, afër liqenit të Badovcit.