03 Maj 2024

Muhamet Sadiku në krye të Bordit të PTK-së

Prishtinë, 19 prill - Prorektori i Universitetit “AAB Riinvest”, Muhamet Sadiku, së shpejti pritet të zyrtarizohet kryetar i ri i Bordit të Postë Telekomit të Kosovës (PTK), duke e zëvendësuar në këtë pozitë Rexhë Gjonbalajn.

Ky i fundit për më shumë se 3 vjet ka qenë në krye të Bordit të PTK-së, ku gjatë këtij mandati Misioni Evropian për Sundim të Rendit dhe Ligjit (EULEX) kishte filluar hetimet në lidhje me kontratën e nënshkruar për operatorë mobilë virtualë mes PTK-së dhe “Dardaphone.net”.

Nën hetime të EULEX-it për këtë kontratë është edhe ish-kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqri Haxha.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, emërimin e Sadikut në krye të PTK-së e ka përkrahur partia e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, pasi që Muhamet Sadiku kishte qenë pjesë e grupit të ekspertëve (E15), i cili grup në zgjedhjet e fundit parlamentare kishte arritur marrëveshje koalicioni me AKR-në e Pacollit.

Sadiku ka konfirmuar për “Zërin” se ka konkurruar në konkursin për Bord të PTK-së, mirëpo nuk ka njohuri nëse është zgjedhur në krye të këtij Bordi.

“Unë kam konkurruar për Bord të PTK-së, mirëpo nuk e di nëse jam zgjedhur”, ka thënë Sadiku.

Përpos Sadikut, në bordin e ri të PTK-së do jetë anëtar edhe Rexhep Oruçi nga Rahoveci, i cili kishte qenë kandidat i AKR-së për Komunën e Rahovecit. Edhe zëvendëskryeministri Sllobodan Petroviq do ta ketë në këtë bord një përfaqësues nga partia e tij.

Mësohet se për t’u zgjedhur në Bordin e ri të PTK-së kanë konkurruar edhe anëtarët aktual të këtij Bordi, ndërsa flitet se vetëm anëtari aktual Gani Sylaj do të rizgjidhet në Bord. Sylaj për ta vazhduar mandatin ka marrë përkrahjen e PDK-së së kryeministrit Hashim Thaçi.

Në Bordin aktual të PTK-së kanë pasur përfaqësues partia e kryeministrit Hashim Thaçi (PDK) dhe LDK-ja e Isa Mustafës. Mirëpo, pas mbetjes së LDK-së në opozitë, vendin e tyre do ta zënë përfaqësuesit e partnerit të koalicionit qeverisës (AKR).

Përndryshe, gazeta “Zëri” javë më parë ka raportuar se për bordet e 16 kompanive publike qendrore dhe regjionale kanë konkurruar rreth 1700 veta, derisa më pak se 100 kandidatë duhet të përzgjidhen. Ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile vazhdimisht e kanë kritikuar deri më tani Qeverinë e Kosovës se në bordet e kompanive publike ka dërguar militantë partiakë e jo ekspertë, të cilët kanë ndikuar që t’u ulet vlera këtyre kompanive.

Zyrtarët qeveritarë kanë pohuar se tashmë në çdo ndërmarrje publike duhet të zgjidhen së paku 2 ekspertë në Bord. Anëtarët e Bordit të PTK-së kompensohen maksimalisht nga qeveria, krahasuar me disa ndërmarrje më të vogla publike, pasi që janë në kategorinë A të ndërmarrjeve publike.

Kështu për kryetarin e Bordit çdo muaj parashihet pagesë prej 850 euro për takimet e Bordit, 200 euro për pjesëmarrje në Komisionin e Auditimit, si dhe 200 euro për pjesëmarrje në komisione tjera. Ndërsa anëtarët e Bordit paguhen 750 euro në muaj, 150 euro për pjesëmarrje në komisionin e auditimit, ndërsa 210 euro për pjesëmarrje në komisionet tjera.

Përpos këtyre kompensimeve, Bordi i PTK-së vazhdimisht ka përfituar bonuse të majme bashkë me punëtorët e kompanisë. Sipas disa raporteve financiare, PTK në vitin 2008 kishte shpenzuar 109 mijë euro për kompensimin e anëtarëve të Bordit, 192 mijë euro shpenzimet kishin arritur në vitin 2009, ndërsa rreth 200 mijë euro në vitin 2010.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)