22 Mars 2023

Lipjani në dy pulla postare

Prishtinë, 9 mars - Filatelia e Postës së Kosovës, ka lëshuar sot në qarkullim dy pulla postare të titulluara  ”Qytetet e Kosovës - Lipjani”.

Përmes pamjeve të këtyre pullave postare prezantohet qyteti i Lipjanit, i cili shtrihet në pjesën qendrore të Republikës së Kosovës. Në afërsi prej 10 km në verilindje ka qytetin antik të Ulpianës.

Lipjani në periudhën romake ishte kryesisht një vendbanim i vogël që njihej me emrin Ulpiana, më vonë është vërtetuar edhe me zbulimet e gërmadhave të vendbanimeve të antikës së vjetër dhe të periudhës bizantine në Lipjanin e sotëm.

Monumenti më i rëndësishëm natyror në komunë është Shpella e Mermertë e Gadimes, e cila tashmë është pikë joshëse e turizmit. Përmes territorit të komunës rrjedh lumi Sitnica, përgjatë të cilit shtrihen sipërfaqet më të pëlleshme bujqësore, të përshtatshme për prodhimtari bujqësore intensive.

Zona malore e komunës shquhet me potencial të madh të turizmit të bazuar në natyrë, si: rezervati “Blinaja”, bukuritë e peizazheve Shalë-Kleçkë dhe vargmalet e Zhegovcit.

Posta e Kosovës edhe në të ardhmen do të vazhdojë promovimin e vlerave dhe bukurive që ka shteti i Kosovës, përmes imazheve të pullave postare.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)