29 Prill 2024

LDK: U vërtetuan dështimet në privatizimit të PTK-së

Prishtinë, 20 tetor - Kthimin e procesit të privatizimit të PTK-së në pikën zero, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e sheh si dështimin e radhës të kësaj qeverie. LDK ka qenë kundër shitjes se përshpejtuar të kompanisë më profitabile.

LDK-ja ka qenë kundër edhe kur qeveria e ka futur privatizimin e kësaj kompanie në ligjin e buxhetit të vitit 2011, pasi ky privatizim pritej të bëhej për të mbuluar deficit e thellë buxhetor nga shpenzimet e pa akorduar me të hyrat buxhetore.

\"Po ashtu, ne patëm theksuar se zgjatja e afatit të ofertimit për të mundësuar pjesëmarrjen e kompanive të caktuara në tender është kundërligjor.\"

\"Ne kemi tërhequr vëmendjen se keqmenaxhimi i PTK-së do të ulë dukshëm vlerën e tregut të kësaj kompanie, aq më tepër kur ky çmim është paracaktuar në buxhetin e Kosovës. Të gjitha këto vërejtje të LDK-së u vërtetuan me dështimin e privatizimit\", thuhet në vlërësimin e LDK-së.

Dështimi i procesit të privatizimit të PTK-së gjithsesi do të përcillet tutje me rënien e vlerës së kompanisë. Fitimet e kësaj kompanie kanë rënë me nga 25% në dy vitet e fundit.

Nga të dhënat e raporteve vjetore të PTK-së, fitimi neto në vitin 2008 ishte 61.1 milion euro, në vitin 2009 ka rënë në 44.4 milion, ndërsa në vitin 2010 në 33.4 milion euro.

E gjithë kjo ka ndodhur në kohën kur në PTK numri i punëtorëve është rritur nga 2,556 punëtorë në vitin 2008 në 3,384 punëtorë në vitin 2010, të cilat kanë qenë punësime politike të militantëve të partisë në pushtet.

Vetë arsyetimet e tërheqjes së investitorëve potencial, të dhëna disa muaj më parë, hedhin dritë mbi dyshimet tona. Zhvillimi i hetimeve për kontrata të dëmshme të lidhura nga menaxhmenti i PTK-së në fakt e ka kthyer privatizimin e kësaj kompanie jo në pikën zero por në pikën -1, për arsye të diskreditimit që i është bërë vetë kompanisë.

Këto kontrata edhe pse të dëmshme, sipas LDK-së prodhojnë efekte juridike për PTK-në dhe cilido investitor do të duhej t’i respektonte ato. Prandaj, deklarimi i qeverisë se përgjegjësia për veprimet e menaxhmentit është individuale qëndron, por kontratat kanë implikime financiare dhe kjo është e rëndësishme për investitorët.

LDK vlerëson se edhe pse nuk pati mjaft investitorë, ata u larguan nga shteti dhe institucionet e korruptuara, të cilat kanë krijuar një mjedis mbytës për ekonominë e tregut.

Ata investitorë e kanë kuptuar se për të bërë biznes në Kosovë është e rëndësishme se kënd e njeh në qeveri, e jo çfarë vlera ke si kompani.

Kompanitë gjermane dhe austriake nuk do mend se nuk hyjnë në tregje të tilla ku aftësia konkurruese dhe epërsia në treg përcaktohen në bazë të aftësive korruptive që ka kompania kundrejt zyrtarëve qeveritarë.

Tani qeveria po mundohet të shesë këtë dështim si një sukses dhe kjo është fatkeqësia më e madhe e kësaj qeverie. Ne shpresojmë që qeveria të këtë marrë mësim nga ky dështim dhe që shitja e PTK-së të mos figurojë as në buxhetin e vitit 2012.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)