02 Maj 2024

Keqpërdorime me radarin 8 milionë euro

Prishtinë, 2 prill - Për më pak se dy vjet kompania Publike Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka “avulluar” hiç më pak se 11.3 milionë euro, mjete këto të bartura në llogarinë e kompanisë publike pas koncesionimit të terminalit nga kompania turke “Limak”.

Milionat në dispozicion drejtuesit e kompanisë publike i shpenzuan në disa projekte të kontrollit ajror dhe duke e rritur dukshëm numrin e të punësuarve në kompani.

Vetëm gjashtë muaj pas kalimit në kompani publike, drejtuesit e saj kanë shpenzuar rreth 8 milionë euro për furnizim me pajisje të navigimit dhe rialokim të pajisjeve ekzistuese.

Sipas të dhënave nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, përgjegjëse për kompanitë publike, nënshkrimi i kontratës me konzorciumin fitues nga Shqipëria dhe Kosova “TCN International” ka ndodhur më 6 tetor të vitit 2011, ndonëse kjo e fundit, sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare për Regjistrim të Biznesit (ARBK), aktivitetin e saj e ka filluar më 14 prill 2011, përkatësisht më pak se 6 muaj para se ta fitojë këtë tender milionësh nga kompania publike e vendit.

Në ueb-faqen zyrtare të ARBK-së thuhet se kapitali i kompanisë TCN nuk është më i lartë se 3000 euro, ndonëse vlera e tenderit kap shumën prej hiç më pak se 8 milionë euro.

Projekti më i madh i kompanisë TCN, sipas ueb-faqes zyrtare të kësaj të fundit, figuron të jetë përmirësimi i teknologjisë në Aeroportin e Prishtinës, kompani e cila në Prishtinë, sipas burimeve të “Zërit”, i ka vetëm katër punëtorë.

Pajisjet e navigimit, të dorës së dytë

Pajisjet më të rëndësishme në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ato të navigimit, po shihen me dyshim sa i përket cilësisë nga persona të angazhuar në këtë projekt në vlerë prej 8 milionë euro.

Një burim i besueshëm i gazetës “Zëri”, i cili ka preferuar të flasë në kushte anonimiteti, thotë se radari ekzistues është shumë më funksional se pajisjet e reja, të cilat janë blerë me para të buxhetit të shtetit. “Imagjinojeni në sistemin e sigurisë ajrore në Aeroport po vendosen pajisje të dorës së dytë, apo tretë, të cilat sillen nga vende të ndryshme. Ky alarm është dhënë edhe nga një inxhinier turk i angazhuar në këtë projekt”, bën të ditur burimi i gazetës. Sipas tij, një shqetësim të tillë e ka shprehur edhe një inxhinier nga Shqipëria, i cili e kishte lënë punën për një muaj, por më pas për arsye të panjohura është rikthyer në vendin e punës.

“Është urdhëruar një punëtor të blejë 200 euro ngjyrë metalike për t’i lyer pajisjet që silleshin në Aeroport. Unë kam thënë që s’ka logjikë kjo që po thuani, pasi që bëhet fjalë për tender milionësh me pajisje të reja, por gjithmonë kam hasur në kundërshtime të ashpra nga përgjegjësi Bardhyl Kamberi, i cili më herët ka punuar në Aeroport, ndërsa tash është menaxher i projektit”, shtoi burimi.

Aeroporti: Po e modernizojmë hapësirën ajrore

Gazeta “Zëri” gjatë ditës së hënë ka tentuar t’i kontaktojë përfaqësuesit e autorizuar të kompanisë TCN në Kosovë, mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Po ashtu gazeta për një javë rresht ka pritur përgjigje edhe nga zyrtarët e Aeroportit “Adem Jashari”, mirëpo këta të fundit përgjigjet në pyetjet e dërguara janë mundur t’i përmbledhin në një komunikatë, të cilën ia kanë shpërndarë të gjitha medieve në vend.

Sipas komunikatës për media të ANP-së, projekti i Modernizimit të Hapësirës Ajrore përmban në vete disa nënprojekte kapitale siç janë: Zhvendosja e sistemeve ekzistuese të radarit primar dhe sekondar, si dhe pajisjeve tjera përcjellëse, procedurat STAR dhe SID (të cilat nënkuptojnë procedurat standarde në vajtje-ardhje të fluturakeve), blerja e radarit të ri, Sistemeve të Komunikimit të të Folurit, Sistemeve të Navigimit si dhe blerja e Sistemit të Incizimit të Zërit, rilokimin apo blerjen e pozitave operuese në kullë.

“I gjithë ky projekt pritet të implementohet brenda vitit 2013, pasi që një pjesë e konsiderueshme e realizimit të tij varet edhe me përfundimin e punëve në kullën e re ku janë procedura standarde gjatë zhvendosjes së sistemeve nga kulla e vjetër në të renë me ç’rast puna e operimeve nuk duhet të ndërpritet për asnjë moment”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Sipas tyre, ky projekt përfshin edhe trajnimet e stafit që është e domosdoshme për përdorimin e sistemeve të reja si dhe rilokimin e sistemeve ekzistuese dhe instalimin e sistemeve të reja ANP-së, ka një kosto rreth tetë milionë euro.

“Gjithashtu ka përfunduar edhe projekti për modernizimin e sistemit ATIS i cili mundëson komunikimin automatik me pilotin, pasi që ka kaluar jetëgjatësinë e përdorimit”.

Kryeshefi i ANP-së, “Adem Jashari”, Bahri Nuredini, theksoi se për realizimin e të gjitha projekteve të cilat janë të nevojshme për hapjen e Hapësirës së Lartë Ajrore janë paraparë investime kapitale të nevojshme që kapin vlerën e 15 milionë eurove, mjete këto të cilat ANP-ja nuk mund t’i sigurojë tani për tani, por shpreson që të gjejnë mbështetje tek institucionet relevante të Kosovës apo edhe nga organizmat ndërkombëtarë.

2.5 milionë euro për paga

Pas themelimit të kompanisë publike Aeroporti “Adem Jashari” është rritur dukshëm edhe numri i të punësuarve.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, më herët në kuadër të Kullës nuk kanë qenë më shumë se 80 të punësuar, numër i cili së fundi ka arritur në 151.
”Numri i të punësuarve është rritur dukshëm. Shumë militantë partiakë janë “rehatuar” në këtë kompani publike”, bën të ditur burimi i gazetës “Zëri”, duke shtuar se edhe politikanët kosovarë kanë punësuar këtu të afërmit e tyre.

Si pasojë e rritje së numrit të punësuarve, më shumë se gjysma e buxhetit të këtij institucioni shkon për pagat e punëtorëve.

Sipas planit të biznesit për vitin 2013 të Aeroportit, 51 për qind e buxhetit shkon për paga, 25 për qind shpenzime tjera, 20 për qind amortizimi, etj.

Gjatë vitit 2013 për pagat e punëtorëve dhe kontributet është planifikuar të shpenzohen rreth 2.5 milionë euro, apo 226 mijë euro më shumë se një vit më parë.

Kompania thuhet se aktualisht është në krizë të rëndë financiare, ku punëtorëve dhe menaxhmentit kanë filluar t’i zbriten pagat.

Po ashtu disa punëtorë të larguar padrejtësisht nga puna, nuk po kompensohet nga menaxhmenti pavarësisht vendimeve të prera të Gjykatës për kthimin në punë dhe kompensimin financiar.

Avni Zogiani nga Organizata për Dinjitet dhe Antikorrupsion “Çohu”, thotë për “Zërin” se askush në Kosovë nuk jep përgjegjësi për shpërdorimin e parave publike, të cilat, sipas tij, keqpërdoren çdo ditë. Zogiani thotë se në Kosovë ndërrohen pushtetet, por deri më tash nuk ka ndodhur që të kërkohet llogari për mandrën e kaluar. “Askush nuk jep llogari, por edhe askush nuk po kërkon llogari për keqpërdorimin e miliona eurove”, tha ai.

Zogiani më tej thotë se kompanitë publike në Kosovë janë bërë çerdhe e punësimeve partiake, por edhe e keqpërdorimeve të fondeve publike në vend.

Ai thotë se kompani të krijuara nga politika po përfitojnë tenderë prej miliona euro.

“Nuk është rasti i parë kur një kompani e themeluar para gjashtë muajsh përfiton tender prej miliona euro. Rastet e tilla janë të rralla në Kosovë. Në këtë raste politika krijon një kompani të caktuar, ose e sjell atë nga një shtet i caktuar vetëm e vetëm për ta marrë një tender”, tha ai.

Familjari i Adem Grabovcit udhëheq financat e ANP-së

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka të punësuar edhe familjarë të zyrtarëve të institucioneve të Kosovës.

Menaxheri kryesor i Financave, Valon Grabovci, është familjar i shefit të deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)