02 Maj 2024

Kastrati e Mulaku inspektojn punimet në rrugën Rashan - Pasomë

Mitrovicë, 19 shtator - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe homologu i tij vushtrrias, Bajram Mulaku, janë shprehur të kënaqur me ecurinë e punëve për rregullimin e rrugës Rashan-Pasomë, që lidh territoret  e dy komunave.

Dy kryetarët me bashkëpunëtorët e tyre kanë vizituar këtë rrugë, ku kompania “Jehona” është duke i kryer punët përfundimtare për të bërë gati për asfaltim.

Kryetari Kastrati, tha se ky është një segment që lidh dy komunat dhe krijon kushte më të mira për jetë për banorët e zonës.

“Është një rrugë që shkurton distancën për ata që duan të dalin në zonën e Shalës nëpërmjet territorit të Komunës së Vushtrrisë dhe si e tillë shumë prosperuese edhe në planin ekonomik”.

Gjithashtu ai e ka vlerësuar shumë edhe bashkëpunimin e frytshëm me Komunën e Vushtrrisë sa i përket kësaj rruge.

Ai tha se ky është një shembull i mirë që ka dhënë rezultat dhe që duhet të vazhdoj edhe në të ardhmen.  

Ndërsa kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, tha se kjo rrugë ka rëndësi të madhe edhe për krijimin e kushteve për zhvillimin e turizmit malor dhe zhvillimit ekonomik të fshatrave të rajonit të Shalës.

“Përveç dy rrugëve tjera ekzistuese, territori i komunës së Vushtrrisë dhe ai i Mitrovicës po lidhet edhe me një rrugë të tretë alternative në rajonin e Shalës së Bajgorës”.

Kjo rrugë e gjatë prej 2.1 km financohet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që ka ndarë 95 mijë euro si dhe dy komunat nga 35 mijë euro. Ndërtimi i kësaj rruge është kontraktuar me 165 mijë euro nga kompania “Jehona”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)