Hoxha: Paguani faturat në Postën e Kosovës

Prishtinë, 9 shtator - Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, ka ftuar qytetarët e Republikës së Kosovës, që ti paguajnë të gjitha faturat në zyrat postare, të cilat janë të hapura nga ora 8-21;00 në mbrëmje. 
Pagesat janë me çmime më të lira se në çdo vend tjetër dhe koha për ta kryer pagesën në zyrat postare është shume më e shkurtër, ka theksuar Hoxha.
Posta e Kosovës, muaj më parë është licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës si Institucion Financiar JoBankar (IFJB), duke ia mundësuar që të kryej shërbime financiare jo-bankare.
Shërbimet financiare jo-bankare përfshijnë pagesat e ndryshme, të cilat qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë ti kryejnë në zyrat postare, duke filluar me te gjitha pagesat që kanë të bëjnë me grumbullimin e të hyrave buxhetore e që grupohen në kategoritë e pagesave UNIREF:
 Pagesa e tatimeve dhe kontributeve për ATK,
 Pagesa e Tatimit në Pronë, në të gjitha komunat,
 Pagesa e dënimeve në trafik,
 Të gjitha pagesat e studentëve të universiteteve publike (semestër, provime, konvikt, mensë, bibliotekë),
 Te gjitha pagesat e taksave gjyqësore,
 Pagesat për licenca te ndryshme të institucioneve të shtetit,
 Pagesat për dokumente personale, 
 Pagesat e regjistrimit të automjeteve dhe shërbime të tjera.
Po ashtu qytetarët në zyrat postare mund ti kryejnë edhe pagesat e grupit kos-giro siç janë:
 Pagesat e faturave të energjisë elektrike,
 Pagesa e faturave të ujit të pijshëm me KUR-Prishtina,
 Pagesa e polisave të sigurimit të automjeteve me të gjitha kompanitë e sigurimeve në Kosovë,
 Pagesa e kartonit të verdhë për të gjitha kompanitë e sigurimeve.
 
















