Gjenden kutitë e zeza të avionit të rrëzuar të "Germanwings"

Berlin, 25 mars - Operacioni i kërkimit në Alpet e Francës, ku u përplas avioni i kompanisë "Germanwings", po vazhdon.
Të 144 pasagjerët dhe 6 anëtarë të bordit të avionit deklarohen të vdekur. Pjesa më e madhe e viktimave janë me kombësi gjermane dhe spanjolle, përfshirë dhe 16 nxënës gjermanë, që ktheheshin nga një ekspeditë mësimore në Spanjë.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë \"Germanwings\", pjesë e Lufthansës, Thomas Winkelmann deklaroi pas aksidentit :
\"Aeroplani ka ulur shpejtësinë duke kryer uljen në 8 minuta. Kontakti i avionit me radarët francezë dhe kontrollorët e fluturimit humbi në orën 10.53 minuta të mëngjesit dhe më pas u rrëzua nga një lartësi prej 6 mijë metrash, 100 km në veri të qytetit francez Nisë\"
Autoritetet franceze kanë njoftuar për gjetjen e kutive të zeza të avionit, që pritet të zbardhin shkaqet e aksidentit tragjik. Ndërkohë njoftohet se do të duhet kohë për mbledhjen e trupave të pajetë, për shkak të terrenit të vështirë dhe stuhive të dëborës. Kancelarja gjermane Merkel deklaroi se do të udhëtojë në vendngjarje, duke u shprehur se kjo është një ditë zie për gjermanët.