27 Prill 2024

Beqaj premton transparencë në privatizimin e PTK-së

Stamboll, 29 maj - Sot në kryeqendrën turke Stamboll u mbajt konferenca e dytë me investitorët potencial në  PTK, e cila kishte për qëllim prezantimin e mundësive investuese në fushën e telekomit në Kosovë, përmes blerjes së aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.
 
Kjo konferencë është e dyta me radhë, pas një konference të suksesshme të karakterit të ngjashëm, të mbajtur në Londër javën e kaluar.

Në konferencë janë prezantuar mundësitë investuese në Kosovë, ambienti i favorshëm fiskal, potenciali i tregut dhe profili i kompanisë.

Konferenca është udhëhequr nga Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për privatizimin e PTK-së, ministri Besim Beqaj, ndërsa të pranishëm ishin edhe ministrat anëtarë të KQP-së, Fehmi Mujota dhe Nenad Rashiq. Po ashtu të pranishëm në Konferencë ishin edhe Kryeshefi i PTK-s, Ejup Qerimi dhe Kryesuesi i Bordit të ART-së, Ekerm Hoxha.

Në fjalën e tij para pjesëmarrësve në Konferencë, udhëheqësi i Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së (KQP), Ministri Beqaj, ka garantuar investitorët potencial se në këtë proces do të ndiqen standardet më të larta ndërkombëtare dhe i gjithë procesi do të bazohet në tre premisa kryesore: transparencë, trajtim të barabartë të investitorëve dhe konkurrencë.
 
Ministri Beqaj po ashtu ka vënë në pah se Republika e Kosovës është duke ndjekur të gjitha hapat e duhura për të përafruar plotësisht infrastrukturën ligjore me atë të BE-së në fushën e telekomit, me qëllim të ngritjes së investimeve private, dhe sigurimit të komunikimeve më të lira dhe kualitative për qytetarët e Kosovës.

Në të njëjtën kohë, Beqaj ka theksuar se përmes reformave strukturore dhe hyrjes së kapitalit privat në sektorët kyçë të ekonomisë së Kosovës, përfshirë transportin, energjinë, telekomit, dhe shërbimet publike, është siguruar që Kosova të ketë një rritje prej 5.3% në vitin 2011.

Me vazhdimin e këtyre reformave, Kosova do të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmbi mesataren evropiane, dhe qytetarët e Kosovës do të kenë kushte shumë të mira të jetesës.

Kryesuesi i KQP-së, ka vlerësuar se PTK-ja është kompani udhëheqëse në sektorin e telefonisë mobile dhe fikse në Kosovë, si nga numri i abonentëve po ashtu edhe nga kualiteti i shërbimeve. Mirëpo, vlera shtesë e PTK-së bazohet në potencialin për zgjerim që ka kjo kompani.

Sipas tij, Kosova ka popullin më të ri ne Evropë, po ashtu ka edhe nivelin e depërtueshmërisë më të ulët në  tregun e telefonisë mobile dhe fikse dhe kjo pasqyron një mundësi të madhe për rritjen e abonentëve dhe zhvillimin e produkteve të reja.

Me hyrjen e investitorit privat në PTK-së, ministri Beqaj, ka theksuar se pritet që sektori i telekomit të ketë një zhvillim me trend shumë më të shpejt dhe transfer të njohurive të reja.

Kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, ka prezantuar para investitorëve potencial, profilin e përgjithshëm të kompanisë dhe ka theksuar se PTK-ja vazhdon të udhëheqë dukshëm në tregun e Kosovës krahasuar me kompanitë konkurrente.

Ndërsa,  Kryesuesi i Bordit të ART-së, Hoxha, ka prezantuar veçoritë e përgjithshme të tregut të telekomit në Kosovë nga aspekti rregullativ dhe ka prezantuar planet për të ardhmen në ofrimin e një shërbimi rregullativ në fushën e telekomit të bazuar plotësisht në parimet e BE-së.

Në këtë konferencë po ashtu ka marrë pjesë Këshilltari i Transaksionit, Lazard Freres, të cilët kanë shpjeguar procedurën konkurruese në bazë të standardeve ndërkombëtare që do të udhëhiqet në këtë proces.

Investitorët potencial pjesëmarrës në konferencë kanë vlerësuar se PTK-ja është ndërmarrje mjaft atraktive për të shtrirë investimet e tyre dhe se tregu i telekomit në Kosovë ofron mundësi të mirë për zhvillim të mëtutjeshëm.

Konferenca u karakterizua me pjesëmarrje të gjerë të investitorëve nga e gjithë bota, investitorët pjesëmarrës ishin:

1.    Aksoy Group (Turqi)
2.    Albtelecom (Shqipëri)
3.    Altima (Kroaci)
4.    Axos Capital (Gjermani)
5.    Bedminster Capital (Angli)
6.    Çalık Holding (Turqi)
7.    Ecolog (ND Balkan) (Gjermani)
8.    IFC (Banka Botërore)
9.    Monaco Telecom (CËC) (Monako, Angli)
10.    Sousa Vieira Advogados (Portugal Telecom) (Portugali)
11.    TEB (Turqi)
12.    Turk Telekom/Oger Telecom (Turqi)
13.    Turkcell (Turqi)
14.    Unicredit Group (Kroaci, Itali)


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)