04 Maj 2024

Aviacioni t’u lihet në dorë profesionistëve

Mitrovicë, 18 prill - Inxhinieri i Ndërtimit të Avionëve, Avdi Shala, njëkohësisht hetues i Sigurisë dhe Aksidenteve Ajrore në Komisionin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA) në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, para stafit dhe studentëve të Fakultetit të Shkencave Teknike të Aplikuara në Mitrovicë ka mbajtur ligjëratën me titull pune “Aviacioni dhe ardhmëria e tij”.

Kjo ligjërate e Shalës është ndarë në pikat: Aviacioni nga ëndrra e njeriut për të fluturuar, bartës i zhvillimit ekonomiko-social dhe i sigurisë së një shteti; E sotmja dhe vizioni për të ardhmen në zhvillimin e aviacionit; Zhvillimi i aviacionit në Kosovë dhe perspektiva e tij; Profesionet në fushën e aviacionit dhe universiteti si bartës i zhvillimit ekonomik (industrial) vendor dhe perspektiva e tij me integrimet evropiane.

Shala ka dhënë shpjegimet se si fluturimi ishte shndërruar në atraksion për shkencëtarët e vjetër, të cilët model kishin marrë zogjtë për t’i ndërtuar fluturakët e para. Më pas ai ka folur edhe për rrëshqitjet e para në ajër.

Shala rëndësi të veçantë i ka kushtuar përdorimit të avionëve në Luftën e Parë Botërore dhe perfeksionimin e përdorimin e tyre po ashtu gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ka folur edhe për fluturimet e para të pasagjerëve me avionë, duke bërë me dije se më 16 nëntor 1909 në Frankfurt u formua shoqëria e parë aksionare e anijeve të udhëtimit ajror (DELAG).

Shala i ka përmendur edhe kërkesat e së sotmes në fushën e aviacionit, të cilat, sipas tij, janë: Siguria, efikasiteti ekonomik, ekologjia dhe komforti (interieri i kabinës etj.). Pasi është ndal veç e veç në shpjegimin e këtyre kërkesave, ai ka bërë me dije se në ditët e sotme synohet ndërtimi i avionëve me teknologji e koncepte të avancuara. Ai ka folur edhe për Trafikun Ajror Komercial: linjat ajrore, fluturimet charter (transportimi i udhëtarëve, mallrave dhe postës), pastaj për aviacionin e përgjithshëm, aviacionin sportiv dhe ndarjen e aviacionit.

Rregullimi i aviacionit në rangun ndërkombëtar, sipas Shalës, dhe standardet teknike, ekonomike e operacionale përcaktohen dhe mbikëqyren prej organizatave si: ICAO, organizatave dhe sindikatave të pavarura si IATA etj., ndërsa në Evropë, përveçse përmbushen kriteret nga organizatat ndërkombëtare, ka edhe organizata e sindikata që vendosin kritere siç janë: EASA, EUROCONTROL, AEA etj., Amerikë: FAA etj., Kanada: Canadian Transportation Agency etj.

Detyrat e sotme, sipas Shalës, janë: Rregullimi i të drejtave të trafikut ndërkombëtar, e ashtuquajtura “liritë e ajrit”, zhvillimi dhe vendosja e standardeve të detyrueshme për fluturake, të cilat duhet të zbatohen prej vendeve anëtare, zhvillimi i infrastrukturës, alokimi i ICAO-codes për vendet dhe llojet e aeroplanëve, aeroporteve…, zhvillimi i standardeve për leximin e dokumenteve të udhëtimit me makinë, përcaktimi i limiteve për emisionet nga zhurma e avionëve, shqyrtimi i rekomandimeve dhe udhëzimeve etj. dhe rregullimi i aviacionit.

Shala gjatë ligjëratës së tij ka folur edhe për aviacionin në Kosovë dhe institucionet bartëse që e rregullojnë këtë fushë. “Ministria e Infrastrukturës (MI) është përgjegjëse për: zhvillimin e politikave kombëtare për transportin ajror, nxjerrjen e rregulloreve të zbatimit lidhur me ekonominë e transportit ajror dhe organizimin, zbatimin ose marrjen e masave për zhvillimin e aviacionit civil në Kosovë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e aviacionit civil.

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës (AACK) është përgjegjës për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigimit ajror në Republikën e Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është përgjegjëse për krijimin, mbajtjen dhe mbikëqyrjen e sigurimit të aviacionit civil në Kosovë. Kërkim-shpëtimi ushtrohet nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse për ushtrimin e aktiviteteve të kërkim-shpëtimit të cilat ndërlidhen me incidentet në aviacionin civil”, ka thënë Shala, duke shtuar se Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA) është themeluar në qershor të vitit 2008 si Komision në Zyrën e Kryeministrit.

Sipas Shalës, KHAIA-ja është përgjegjëse për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve në aviacion brenda Kosovës ose ku përfshihen avionët e regjistruar në Kosovë kudoqofshin ata.

Shala ka treguar se edhe Agjencia e Shërbimeve të Navigimit Ajror të Kosovës dhe Federata Aeronautike e Kosovës janë përgjegjëse për rregullimin dhe organizimin e aktiviteteve në aviacionin sportiv.

Shala ka folur edhe mënyrën se si të interesuarit mund të bëhen pilotë dhe në këtë drejtim ai ka ofruar përkrahjen e tij në orientimin e kandidatëve të mundshëm se ku mund t’i marrin licencat për fluturim. Ai ka folur për të gjitha profesionet e mundshme në fushën e aviacionit. Shala është shprehur se konkurrenca në tregun vendor dhe evropian të punës është shumë e madhe prandaj, sipas tij, kërkohet mobilitet i kuadrove.

Shala në fund të ligjëratës së tij ka folur edhe për programet që ofrohen për studentët, stafin akademik, të cilët janë të interesuar të studiojnë në fushën e aviacionit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)