AVC: Ndriçimi i aeroplanëve dhe helikopterëve me laser i kundërligjshëm

Prishtinë, 31 gusht - Autoriteti i Aviacionit Civil, ka njoftuar se gjatë muajit gusht të këtij viti ka pasur shtim të rasteve kur persona të papërgjegjshëm drejtojnë dritën laser nga toka në drejtim të aeroplanëve dhe helikopterëve në fluturim në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës.
\"Ju informojmë se veprimet e tilla janë të kundërligjshme dhe njëherit paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e fluturimit\", thuhet në njoftimin e Autoritetit të Aviacionit Civil.
Ndriçimi me rreze laser i kabinës së pilotëve të aeroplanëve dhe helikopterëve, kur fluturaket ndodhen në lartësi të ulët, ndër të tjera mund të shkaktojë verbim të përkohshëm të pilotëve dhe si rrjedhojë mund ta rrezikojë sigurinë e fluturimit.
Veprimet e tilla, nga kushdo qofshin ato, konsiderohen si rrezikim i operimeve të aviacionit civil dhe janë të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe ANP Adem Jashari - Kontrolli Ajror kanë zhvilluar një procedurë, e cila mundëson reagimin e policisë brenda pak minutash në vendin e identifikuar të burimit të rrezes laser që i është drejtuar një aeroplani.
\"Të gjithë personat e identifikuar si përdorues dhe drejtues të laserëve ndriçues drejt aeroplanëve dhe helikopterëve në fluturim do të përballen me procedurat ligjore të sanksionuara në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kurrë mos i ndriçoni aeroplanët dhe helikopterët në fluturim me dritë laseri\". thuhet në njoftimin e Autoritetit të Aviacionit Civil.