28 Mars 2024

Facebook përmirëson rregullat e reja për të frenuar gjuhën e urrejtjes

New York, 17 nëntor - Facebook thotë se është duke u përmirësuar në mënyrë aktive, duke hequr gjuhën e urrejtjes dhe duke ndryshuar stimujt që disa përdorin për sensacione, provokime dhe për të shtuar popullaritetin.

Facebook thotë se kompania gjithashtu po shton operacionet në mënyrë që kompjuterat të mund të rishikojnë dhe të marrin vendime të shpejta për sasi të mëdha informacioni në mënyrë që mijëra punonjës të kompanisë të mund të marrin vendime më të nuancuara.

Në të ardhmen, nëse dikush nuk pajtohet me vendimin e Facebook-ut, ai ose ajo do të jetë në gjendje të apelojë pranë një bordi të pavarur. Nuk i takon Facebook-ut "të marrë vendime kaq të rëndësishme për shprehjen e lirë dhe sigurinë, këto vendime i takojnë përdoruesit," tha shefi ekzekutiv i Facebookut Mark Zuckerberg në një telefonatë me gazetarët të enjten.

Mark Zuckerberg sqaroi se kompania ka patur disa arritje muajt e fundit për të goditur spamin, gjuhën e urrejtjes dhe përmbajtjen e dhunshme, por pranoi gjithashtu se mbetet shumë për të bërë.

"Ka çështje që nuk zgjidhen kurrë", tha ai. "Do të ketë vazhdimisht probleme përsa i përket përmbajtjes".

Masat e kompanisë Në bisedën telefonike, Mark Zuckerberg iu referua një shkrimi të kohëve të fundit në gazetën New York Times, ku flitej hollësisht se si kompania ka zhvilluar polemika të shumta e të ashpra gjatë dy viteve të fundit, siç ndodhi kur u zbulua se rrjeti Facebook u përdor nga operativët rusë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Nga shkrimi i NYT dilte se drejtuesit e kompanisë fillimisht nuk i pranuan shqetësimet e hershme për operativët e huaj, dhe më pas u përpoqën të shmangnin vëmendjen e publikut nga Facebook-u sapo doli lajmi. Mark Zuckerberg tha se firma kishte bërë gabime dhe ishte treguar e ngadaltë për të kuptuar problemin.

"Por të thuash se ne nuk deshëm të mësojmë faktet, kjo është thjesht e pavërtetë," tha ai.

Mark Zuckerberg tha gjithashtu se nuk e dinte që firma kishte punësuar

Definers Public Affairs, një firmë këshilluese në Uashington, D.C., që shpërndau informacione negative rreth konkurrentëve të Facebook-ut, dhe ishte e përfshirë në skandale. Facebook i ndërpreu marrëdhëniet me firmën.

"Kjo mund të jetë normale në Uashington, por nuk duam që Facebook të perceptohet sikur ka lidhje me këtë firmë, prandaj nuk do të kemi lidhje me të", tha zoti Zuckerberg.

Firma ka postuar një mohim në lidhje me këtë çështje në Nju Jork Tajms.

Heqja e postimeve Facebook tha se është duke u përmirësuar në mënyrë aktive për gjetjen dhe heqjen e postimeve të tilla si spam, mesazhet e dhunshme dhe gjuhën e urrejtjes. Kompania tha se hoqi ose ndërmori veprime të tjera në 15.4 milionë tekste me përmbajtje të dhunshme midis qershorit dhe shtatorit të këtij viti, rreth dyfishi i asaj që u hoqën gjatë tre muajve të mëparshëm.

Por Mark Zuckerberg dhe drejtuesit e tjerë thanë se Facebook ende ka shumë për të bërë në vende të tilla si Mianmar. Në tremujorin e tretë, firma tha se në mënyrë aktive identifikoi 63 përqind të mesazheve të urrejtjes që u hoqën, nga 13 përqind në tremujorin e fundit të vitit 2017.

Së paku 100 ekspertë të gjuhës birmaneze po shqyrtojnë përmbajtjen, tha firma. Një çështje që vazhdon të ekzistojë në Facebook është se disa nga përmbajtjet më të njohura gjithashtu janë më sensacionale dhe provokuese. Facebook tha se tani penalizon atë që e quan "përmbajtje brenda kufijve të lejueshëm" kështu që mesazhi merr më pak shpërndarje dhe angazhim.

"Duke e ndrequr këtë problem në shërbimet tona, ne besojmë se do të krijojmë një cikël të virtytshëm: duke reduktuar senzacionalizmin e të gjitha formave, ne do të krijojmë një dialog më të shëndetshëm, më pak të polarizuar, ku gjithnjë e më shumë njerëz ndjehen të sigurtë për të marrë pjesë ", shkroi Mark Zuckerberg në një mesazh.

Kritikët e kompanisë, megjithatë, thonë se Mark Zuckerberg nuk ka shkuar aq larg sa për të trajtuar problemet e Facebook, që ka 2 miliardë përdorues.

"Ne kemi një hapësirë për komunikim, e krijuar nga njeriu, që është fitimprurëse, e menjëherëshme në komunikim, me hapësirë për treg dhe hapësirë për beteje dhe se është, si rezultat, i dizajnuar që të mos shpërblejë vërtetësi apo moral por përhapje të bujëshme apo viralitet", tha të enjten Peter W. Singer, strategjist dhe bashkëpunëtor i lartë në New America, një fondacion jopartiak, në Uashington DC.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)