18 Maj 2024

Menaxhimi jo i mirë i projekteve nga ASHI-ja, ka dëmtuar buxhetin

Prishtinë, 5 qershor - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit”.

Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) nuk ka arritur të jetë efektive në realizimin e projekteve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për digjitalizimin e shërbimeve dhe lehtësimin në qasjen e tyre për institucionet shtetërore dhe qytetarët përmes platformave elektronike.

Auditimi ka nxjerr në pah se menaxhmenti i ASHI-së nuk ka siguruar qeverisje të mirë të teknologjisë së informacionit, nuk ka bërë analizë të mjaftueshme për të identifikuar nevojat dhe zgjidhur problemet përmes projekteve të reja dhe me prioritet, ka mungesë të planit të menaxhimit të rrezikut, vonesa në zbatimin e projekteve, orientim jo të mirë të buxhetit si dhe është ekspozuar ndaj rrezikut me ndaljen e shërbimeve të internetit për institucionet e Republikës së Kosovës.

Po ashtu në zhvillimin e projekteve Agjencia ka paguar rreth 506 mijë euro për shërbime dhe licenca të cilat nuk janë realizuar, por edhe të tilla që edhe pse janë blerë nuk janë shfrytëzuar.

Për shkak të menaxhimit jo të mirë të kontratës, janë realizuar porosi për licenca të cilat nuk janë shfrytëzuar dhe kishin krijuar shpenzime në vlerën 440,973 euro. Për më tepër për numrin e licencave për universitete, në vitin 2020 ASHI-ja ka bërë porosi në vlerë prej 65 mijë euro sipas kërkesës së operatorit ekonomik dhe jo sipas nevojës së tyre.

Gjithashtu, ASHI-ja nuk e ka trajtuar me kujdes sigurinë e informacionit, duke shkaktuar paqartësi në raste të klasifikimit të informacioneve dhe shpalosjen e tyre pa i vlerësuar dhe deklasifikuar ato paraprakisht; nuk ka specifikuar kërkesën për kufizimin e trafikut nga interkoneksionet rajonale të pasigurta për vendin; si dhe nuk ka zbatuar nënshkrimin e deklaratës së konfidencialitetit për të gjithë stafin e operatorëve ekonomik që kanë qasje në informacionin dhe infrastrukturën shtetërore të teknologjisë së informacionit.

Lidhur me këtë auditim Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi  se  Agjencia e Shoqërisë së Informacionit nuk ka qenë efektive në menaxhimin e projekteve të teknologjisë së informacionit duke ndikuar në mosrealizimin e shërbimeve, në mostrajtimin e duhur të sigurisë së informacionit si dhe ka krijuar shpenzime të panevojshme dhe ka dëmtuar buxhetin.

Me qëllim të përmirësimit të procesit të menaxhimit të projekteve të teknologjisë së informacionit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 18 rekomandime për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit.

Raportin e plotë të auditimit të teknologjisë së informacionit “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit” e gjeni këtu.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)