Zyrtare: Dardan Berisha rikthehet te Sigal Prishtina

Prishtinë, 14 tetor - Dardan Berisha rikthehet te Sigal Prishtina pas aventurës së shkurtër te kroatët e Cibona Zagreb.
Lajmin e bëri të ditur drejtori sportiv i klubit, Florian Miftari. Pas suksesit në Ligën Ballkanike sezonin e shkuar, Berisha ra në sy të agjentëve të skuadrës kroate të cilët i bënë një ofertë që Berisha e pranoi duke u zhvendosur në Zagreb.
Sezoni për basketbollistin kosovar startoi në mënyrën më të mirë pasi ai ishte një nga lojtarët më të spikatur të Cibonës me një mesatare prej 15.5 pikësh, por problemet financiare në klub e detyruan të rikthehej te Kampionët e Kosovës. Bashkimi i Berishës me Prishtinën është një lajm pozitiv për tifozët e ekipit kryqytetas pasi këtë sezon skuadra do të marrë pjesë në evenimentin ndërkombëtar FIBA EuroCup.