Van Gaal, pranë largimit nga United

Manchester, 25 janar - Aventurës së Louis van Gaal te Manchester United duket se i ka ardhur vërtet fundi. Humbja në Old Trafford me Southampton i ka përkeqësuar gjërat te Djajtë e Kuq dhe tashmë drejtuesit e klubit anglez e kanë humbur durimin.
Vetë Van Gaal e ka pranuar dështimin e tij, teksa lëshoi një deklaratë pas përfuundimit të ndeshjes duke lënë të nënkuptohet se është shumë pranë largimit nga skuadra.
Pritshmëritë për mua ishin shumë të larta dhe unë nuk u shfaqa në lartësinë e duhur, gjë që është shumë torturuese, ishte deklarata e Van Gaal në përfundim të ndeshjes me Southampton.
Ndërkaq, në median britanike tashmë kanë filluar të mendojnë për atë që do të ndodhë me Djajtë e Kuq në muajt në vazhdim.
Mësohet se deri në fund të sezonit drejtimi i skuadrës pritet të merret nga asistenti i Van Gaal, Ryan Giggs, ndërkohë që për sezonin e ardhshëm projektohet ardhja e Jose Mourinho.