Thaçi priti heroinat e xhudos, Majlinda Kelmendin dhe Nora Gjakovën

Prishtinë, 25 prill - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot Majlinda Kelmendin dhe Nora Gjakovën, fituese të medaljeve në Kampionatin Evropian në Xhudo, si dhe Kryetarin e Federatës së Xhudos, Agron Kuka dhe përzgjedhësin Driton Kuka, për ti uruar për suksesin e radhës së tyre.
Është kënaqësi tju takoj dhe tju uroj për suksesin e arritur. Suksesi juaj është edhe sukses i Kosovës, u shpreh presidenti Thaçi.
Duke folur për punën dhe sukseset e xhudistëve, presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është krenare me sukseset e juaja dhe shtoi se ju jeni imazhi i vërtetë i Kosovës, i rinisë që punon me përkushtim edhe kur kushtet nuk janë më të mirat, për të arritur sukses.
Delegacioni i xhudistëve e njoftoi presidentin Thaçi për punën dhe sukseset e arritura.
Agron Kuka, Kryetar i Federatës së Xhudos, tregoi për punën që bëhet, përkundër kushteve të kufizuar, ndërsa përzgjedhësi Driton Kuka tregoi për rëndësinë që sukseset e dy xhudisteve kanë për gjasat e tyre në Lojërat Olimpike në Rio.
Dy xhudistet, Majlinda dhe Nora, treguan për garat e vështira, por edhe për gëzimin në suksesin e arritur. Të dyja u shprehën se i gëzohen mundësisë që të dëshmohen edhe në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Rio.
Presidenti i Kosovës u shpreh se shteti i Kosovës do të vazhdojë të mbështesë sportistët dhe sportin dhe u uroi suksese xhudisteve dhe federatës së tyre.
Majlindës dhe Norës i urojmë suksese në Lojërat Olimpike. Jemi të bindur në suksesin e tyre, u shpreh presidenti Thaçi.