Shala takoi kryetarin e Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës

Prishtinë, 27 prill - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, priti sot në një takim kryetarin e Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës , Arben Lila, me të i cilin bisedoi rreth zhvillimeve në këtë federatë dhe me punët që po bën MKRS-ja për përmirësimin e kushteve për zhvillimin e sportit të Kosovës, në planin infrastrukturor, legjislativ dhe në fushën e subvencionimeve.
Ministri Shala dhe kryetari Lila biseduan veçmas për sfidat me të cilat ballafaqohet kjo federatë, me programin që ka për sivjet, dhe me përpjekjet që po bëhen për masovizimin e këtij sporti të rëndësishëm për Kosovën.
Ministri Shala e përgëzoi Federatën Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës për punën dhe sukseset që kanë arritur gjer me tani, dhe u premtoi përkrahje e mbështetje në zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti.
Kryetari i FBAK-ut, Arben Lila e njoftoi ministrin Shala për aktivitetet e deritashme dhe veçanërisht me synimet që ka kjo federatë. Ai po ashtu e falënderoi ministrin Shala për mbështetjen dhe u shpreh se po punohet për masivizimin dhe zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti.