Shala në Rahovec, palestra përfundon vitin tjetër

Rahovec, 10 dhjetor - Në vazhdën e vizitave nëpër Kosovë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, i shoqëruar nga zëvendësministri Rexhep Hoti, qëndroi sot në Rahovec, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Idriz Vehapin.
Ndërmjet ministrit Shala dhe kryetarit Vehapi u bisedua për bashkëpunimin mes MKRS-së dhe komunës, sidomos në fushat që lidhen me institucionet e kulturës, fushën e sportit, si dhe politikat e rinisë.
Shala dhe Vehapi këto takime i vlerësuan tejet të rëndësishme për tu njohur më për së afërmi me problemet të cilat lidhen me institucionet e kulturës, sportin, si dhe politikat e rinisë, për të cilat fusha kërkohet bashkëveprim dhe bashkëpunim ndërmjet MRKS-së dhe komunës.
Kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi e vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me MKRS-në dhe e falënderoi ministrin Shala për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që po i jep komunës së Rahovecit.
Ministri Shala u shpreh se qëllimi i kësaj vizite është njohja për së afrimi me kërkesat që ka komuna, si dhe inspektimi i punimeve në Palestrën e Sportit, që është investim i MKRS-së. Shala po ashtu u shpreh se do të bashkëpunojë me komunën në përmirësimin e infrastrukturës së kulturës, rinisë dhe sportit në këtë komunë.
Ministri Shala gjatë vizitës në Rahovec, inspektoi edhe punimet në Palestrën e Sportit të këtij qyteti, ku sivjet MKRS-ka ka investuar 215 mijë euro, ndërkaq vitin e ardhshëm, që është faza e tretë dhe e fundit, që në bazë të projeksionit buxhetor do të investojë edhe 300 mijë euro.