Ronaldo mori për të katërtën herë çmimin Këpuca e Artë

Madrid, 13 tetor - Cristiano Ronaldo mori të martën për të katërtën herë çmimin Këpuca e Artë.
I shoqëruar nga presidenti dhe trajneri i Realit të Madridit, Florentino Perez dhe Rafa Benitez, sulmuesi portugez tha se është një nder i madh për të që të fitojë sërish çmimin që i jepet lojtarit që ka shënuar më shumë gola në Europë gjatë një sezoni.
Të marr për herë të katërt Këpucën e Artë është një nder i madh. Ky është një trofe shumë i rëndësishëm për mua dhe dua të falenderoj shokët e skuadrës dhe njerëzit që më kanë ndihmuar, tha portugezi, i cili shënoi 48 gola në sezonin e kaluar të kampionatit spanjoll.
Cristiano shtoi se nuk do të kënaqet me kaq, por do të punojë për tu shpallur golashënuesi më i mirë europian për të pestën dhe të gjashtën herë.
Dua ta fitoj sërish këtë trofe. E di që është e vështirë. Dua ta shoqëroj Këpucën e Artë me titullin kampion në Spanjë, Champions League dhe Kupën e Mbretit, deklaroi Cristiano.