22 Mars 2023

Presidentja Osmani kërkon mbështetjen e FIFA-s për sportistët e rinj

Prishtinë, 30 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, i cili e viziton për herë të parë Kosovën që prej kur shteti ynë është anëtarësuar në këtë organizatë.

Bashkë me presidentin Infantino, në delegacion ishin edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ai i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando Duka, dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamet Sejdini.

Kosova është anëtarja e 210-të e FIFA-s, për të cilën gjë Presidentja Osmani e ka falënderuar presidentin Infantino, ngase që në Kuvendin e parë të kësaj organizate, prej kur ai mori drejtimin e kësaj organizate, e vendosi në agjendë pranimin e Kosovës në shtëpinë e madhe të futbollit.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Fadil Vokrrit për pranimin në UEFA dhe FIFA.

Sipas saj, Kosova tashmë është anëtare e FIFA-s, porse ka nevojë për ndihmë në aspektin infrastrukturor sportiv, duke përmendur këtu stadiumet e reja të nevojshme për sportistët kosovarë.

Në takim me presidentin Infantino, Presidentja Osmani ka diskutuar mundësitë për stadiume të reja si dhe për projekte të tjera investuese në infrastrukturën sportive.

Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e FIFA-s për sportistët e rinj të Kosovë dhe përmendur klubin e vajzave të vogla në futboll, të cilat sipas saj kanë nevojë për infrastrukturë të qëndrueshme.

Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e ekipeve kosovare në garat ndërkombëtare.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)