28 Mars 2024

Pas Maurinjos, Real Madridi kërkon edhe Maikon

Madrid, 22 mars - Deklarata e Kristiano Ronaldos “President, do të fitojmë kampionatin” nuk ka mjaftuar për të qetësuar Florentino Perez. Drejtuesi më i lartë i Realit të Madridit po mendon rinovimin e skuadrës. Pas blerjeve faraonike të verës së kaluar, ku ka shpenzuar afro 250 milionë euro, njëshi i klubit “merengue” është i vendosur që të shpenzojë sërish shifra marramendëse për të afruar dy prej emrave më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Aktualisht, këta elementë përfaqësojnë ngjyrat e Interit. “Marca” ka folur për trajnerin Zhoze Murinjo dhe për superkontratën që në “Santiago Bernabeu” kanë përgatitur për luzitanin. Ndërkohë, një tjetër gazetë spanjolle, “Sport”, ka zbuluar edhe identikitin e “galaktikut” të radhës që Perez synon të blejë: Dagllas Maikon.

Në aspektin taktik, afrimi i brazilianit do të shërbente për të përforcuar krahun e djathtë të mbrojtjes. Maikon është një lojtar i aftë që të mbrojë dhe të sulmojë, që arrin të dominojë në pozicionin ku aktivizohet. Ai do të kishte një rol kyç në lojën e Realit, ku Serxho Ramos do të spostohej në qendër të mbrojtjes.

Kjo cilësohet si përgjigjja që njëshi i madrilenëve kërkon t’u japë rivalëve të përjetshëm të Barcelonës, të cilët dominojnë futbollin botëror. Pikërisht “blaugranat” arritën t’i “vidhnin” ish-presidentit të Realit, Kalderon, kartonin e një prej lojtarëve më të fortë në qarkullim, Dani Alvesh.

Pavarësisht se trajneri Karlos Dunga preferon që të aktivizojë Maikon si titullar te “seleçao”, në Brazil janë të shumtë ata që kërkojnë ta shohin Alvesh në formacionin e Kombëtares. Perez dëshiron Maikon edhe prej gjurmëve që ka lënë në Madrid një tjetër mbrojtës krahu brazilian, Roberto Karlos, dhe synon që vetëm me një lëvizje t’i shtojë skuadrës një kampion të denjë për t’iu përgjigjur Barçës.

Sipas “Sport”, klubi spanjoll ka hedhur hapin e parë, duke rilidhur kontaktet me menaxherin e lojtarit, Antonio Kaliendo. Palët kishin biseduar gjatë verës së kaluar me Realin, i cili kishte kërkuar të mësonte nëse Maikon ishte i gatshëm të transferohej në La Liga. Në anën tjetër, braziliani që feston 29-vjetorin e lindjes në korrik, dha “ok”-in, edhe pse deklaroi se kërkonte të përqendrohej vetëm tek Interi, skuadër me të cilën ka shansin të shpallet sërish kampion i Serisë A italiane dhe që do të luajë në çerekfinalet e Champions League.

Natyrisht, nëse Murinjo do të pranonte të emërohej në krye të stolit “merengue”, drejtuesit e Realit të Madridit do ta kishin edhe më të lehtë që të bindnin brazilianin për t’u larguar nga zikaltrit. Së fundmi, tekniku portugez ka deklaruar se mund ta prishë kontratën me Masimo Moratin kur të dëshirojë ekziston një klauzolë, me një “gjobë” të përcaktuar për mosrespektimin e marrëveshjes e përveç klubeve angleze, Reali është një opsion i mirë. Zhoze në “Bernabeu” do të ishte një shtysë për Maikon për të pranuar ofertën.

Mbrojtësi u transferua në Pinetina nga Monako në vitin 2006, ndërsa kontrata me Interin skadon më 30 qershor 2012. Çmimi i tij në merkato vlerësohet nga 25 deri në 30 milionë euro. Por, sipas së përditshmes iberike, problemi i vetëm i Realit është që të bindin milanezët: klubi i Moratit e cilëson të pashitshëm Maikon, ndërsa gjatë sezonit të kaluar kanë “blinduar” Murinjon, pikërisht për të evituar ngacmimet nga “big”-ët e tjerë europianë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)