Mitrovica behët me tri objekte kapitale sportive



Mitrovicë, 23 dhjetor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, bashkë me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, inspektuan punimet në shtigjet e atletikës në Stadiumin Adem Jashari, rregullimin e tribunave, zhveshtoreve dhe sanimin e pjesëve të djegura të stadiumit Riza Lushta dhe investimet në palestrën e sportit Minatori në qytetin e Mitrovicës.
MKRS-ja në projektin e shtigjeve të atletikës dhe sistemin e ujitjes së fushës së stadiumit olimpik Adem Jashari ka investuar afër 400 mijë euro, ndërsa stadiumin e Riza Lushtës ka investuar 150 mijë euro,
Këto dy projekte në stadiumet e Mitrovicës që janë investim i MKRS-së, janë në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës sportive sipas standardeve të pranueshme evropiane, u shpreh Ministri Shala.
Ministri Shala e vlerësoi ecurinë e punimeve në këto dy projekte si nga dinamika e punës ashtu edhe si cilësi. Rregullimi i shtigjeve të atletikës paraqet një rëndësi për atletët e Kosovës ku ata do të kenë mundësi të zhvillojnë garat dhe aktivitet e tyre.
Gjithashtu, Shala, në vizitën e tij në stadiumin Riza Lushta ku pa punimet që janë realizuar, tha se MKRS-ja me përkrahjen e saj mundohet që të krijojë kushte për sportistët.
Shala po ashtu e vizitoi palestrën Minatori e cila është në fazën e përfundimit dhe do të jetë funksionale në fillim të vitit të ardhshëm.
Ministri Shala tha se MKRS-ja është e përkushtuar në përmirësimin e infrastrukturës fizike e legjislative të sportit në Kosovë, me qëllim që sportistëve tu krijohen mundësi e lehtësira për tu dëshmuar.
Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, falënderoi ministrin Shala për përkrahjen e vazhdueshme që jep ai për projektet, të cilat janë të rëndësishme për sportistët e Mitrovicës, dhe kësisoj u krijohen lehtësira për zhvillimin e ushtrimeve e garave të ndryshme. Ai e cilësoi se me marrjen e detyrës për drejtimin e MKRS-së nga ministri Shala, gjërat kanë ndryshuar jashtëzakonisht shumë për të mirë.