27 Prill 2024

Maskerano te Barcelona për 22 milionë euro

Barcelonë, 29 gusht - Barcelona ka arritur marrëveshjen për transferimin e Havier Maskeranos së Liverpulit në Barcelonë dhe lojtari pritet këtë fundjavë në Spanjë për të bërë vizitat mjekësore, sipas njoftimit të bërë dje nga klubi spanjoll. Kapiteni i Argjentinës flitej se do të largohej nga Liverpuli këtë verë dhe Barcelona e Interi ishin skuadrat e interesuara për të.

Trajneri i Liverpulit, Roi Hodgson, ka shpresuar se 26-vjeçari do të qëndronte, por u detyrua ta linte jashtë ndeshjeve të fundit kundër Mançester Sitit dhe Trabzonsporit për shkak të mundësisë së transferimit. Barcelona ka thënë në faqen e vet web se klubet kanë rënë dakord për shumën e transferimit dhe se Maskerano do të firmoste një kontratë katërvjeçare me katalanasit. “Marrëveshja varet nga kalimi i vizitave mjekësore të Maskeranos, më pas do të firmoset marrëveshja.

Maskerano do të vijë në Barcelonë këto dy ditë”, ka thënë klubi. Mediat spanjolle kanë thënë se marrëveshja ka pasur vlerën e 22 milionë eurove. Klubi i Liverpulit ka konfirmuar në faqen e vet web se është arritur marrëveshja e transferimit. “Klubi spanjoll ka marrë lejen që të flasë me lojtarin argjentinas”, thuhet në këtë deklaratë.

Maskerano do të bëhet blerja e tretë e merkatos pas sulmuesit spanjoll David Vila dhe mbrojtësit brazilian Adriano Korreia. Ai do të mbushë boshllëkun e lënë nga shitja e mesfushorit Jaja Ture te Mançester Siti. Barça është ende në negociata me Milanin për të shitur suedezin Zllatan Ibrahimoviç para mbylljes së merkatos. Barça e nis sezonin në Primera Divizion me transfertën kundër Rejsing Santanderit nesër.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)