City mendon transferimin e Alabas

Manchester, 10 janar - Njëri nga konkurrentët kryesor për titullin e kampionit në Angli, Manchester City po mendon transferimin e mbrojtësit të majtë David Alaba.
Mediat gjermane dhe ato angleze e kanë bërë të kryer punën që Guardiola do ta drejtojë Cityn vitin e ardhshëm, ndërsa transferimi i parë duket se do të jetë Alaba.
Mbrojtësi austriak njihet si ndër më të mirët në botë për pozitën e tij, ndërsa te City në atë rol janë vjetëruar Kolarov dhe Clichy.
Edhe pse Alaba vlerësohet lartë nga Bayern Munich, ish-kampionët e Anglisë janë duke përgatitur një ofertë të lartë për lojtarin.
Besohet se shuma që City do të ofrojë për transferimin e austriakut i kalon 50 milionë euro.