Chelsea kërkon Griezmann dhe Nolito

Londër, 22 tetor - Chelsea hedh sytë nga kampionati spanjoll për të përforcuar repartin e avancuar sezonin e ardhshëm. Sipas asaj që publikohet te britanikja Metro, Blutë e Londrës kanë vënë në shënjestrën e tyre Antoine Griezmann të Atletico Madrid.
Gjithnjë sipas Metro, futbollisti francez ka tërhequr vëmendjen e trajnerit Jose Mourinho, i cili i ka kërkuar menjëherë padronit të Chelsea, Roman Abramovich, që të bëjë tentativën e tij për ta sjellë atë në Stamford Bridge.
Megjithatë, në këtë pikë kampionët e Anglisë duhet të përballen me konkurrencën e Arsenalit, pasi edhe Topçinjtë janë vënë në ndjekje të tij.
Por Griezmann nuk është i vetmi që është vënë në qendër të vëmendjes së Chelsea.
Në Spanjë janë shfaqur zërat për një interes të klubit londinez për sulmuesin e CeltaVigo, Nolito.
Sipas medias iberike, Chelsea po mendon të ndërhyjë në merkaton e janarit për të blerë futbollistin.
Por edhe në këtë rast, për Blutë nuk do të jetë e lehtë për të arritur te objektivi i tyre, pasi për sulmuesin spanjoll janë në garë edhe Barcelona e Arsenali.