2015, vit i jashtëzakonshëm për hendbollin kosovar

Prishtinë, 18 dhjetor - Në kuadër të takimeve të fundvitit me federatat e ndryshme të Kosovës, sot, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, priti në një takim pune një delegacion të Federatës së Hendbollit të Kosovës, të kryesuar nga EugenSaraçini, kryetar, me të cilin bisedoi për punët dhe aktivitet që janë realizuar gjatë këtij viti.
Kryetari Federatës së Hendbollit të Kosovës Saraçini e vlerësoi punën e dhe bashkëpunimin e sivjetshëm me ministrin Shala, meqë sipas tij, me angazhimin e tij, ai ka ndikuar në mbarëvajtjen e punëve dhe aktiviteteve sporteve të FHK-së.
Shala dhe Saraçini vlerësuan se ky vit ishte i jashtëzakonshëm për hendbollin e Kosovës, meqë këtë vit Federata e Hendbollit të Kosovës është pranuar në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit, dhe në të njëjtën kohë gjatë këtij viti, është mbajtur Kampionati Ndërkombëtar i Hendbollit për Shtetet në Zhvillim, i cili është vlerësuar shumë pozitiv, ku Kosova është përgëzuar për nivelin e organizimit.
Ndërmjet ministrit Shala dhe kryetarit Saraçini u bisedua edhe për aktivitet e shumta që janë realizuar gjatë këtij viti në hendbollin e Kosovës.
Po ashtu, ministri Shala u interesua edhe për ecurinë e memorandumeve dhe funksionimin e tyre.
Kryetari Saraçini u shpreh i kënaqur me praktikën e memorandumeve, sepse nëpërmjet tyre janë krijuar më shumë mundësi për punë dhe planifikime.
Ministri Shala u shpreh se edhe nga vlerësimi i shumicës së federatave, praktika e memorandumeve ka krijuar lehtësira dhe mundësi për punë të pavarur për federatat dhe një praktikë e tillë do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.
MKRS-ja sivjet ka ndihmuarFHK-në me rreth 220 mijë euro.