U promovua libri Feriz Guri - Uragani i UÇK-së


Prishtinë, 3 maj - Në nderim të jetës dhe veprës heroike të dëshmorit, Feriz Guri, sot në Prishtinë është promovuar libri Uragani i UÇK-së, kënga dhe dokumentari që i kushtohet këtij dëshmori. Me këtë rast u tha se gjaku i dëshmorëve u bë gurthemel i lirisë dhe shtet-ndërtimit të Kosovës.
Në 15 vjetorin e rënies heroike të dëshmorit të kombit, Feriz Guri-komandant Shpata, është promovuar libri monografik i Nysret Pllanës, me titull, Feriz Guri-Uragani i UÇK-së. Me këtë rast, redaktori i librit Emin Kabashi, tha se dëshmori Feriz Guri së bashku me të gjithë ata që ranë në fushëbeteja për çlirimin e Kosovës, është gurthemel i këtij shteti.
Në themelet e atdheut të bashkuar është gjaku i dëshmorit të kombit Feriz Guri bashkë me gjakun e të gjithë dëshmorëve të kombit që kanë rënë për liri, ka thënë Emin Kabashi.
Faik Guri, babai i dëshmorit theksoi se të gjithë ata që ranë në beteja për lirinë e Kosovës, janë bijtë e kësaj toke. Prandaj, duhet punuar sa më shumë për ndërtimin e Kosovës.
Si po popull duhet të punojmë edhe më shumë. Nuk ka vend për mërzi, kemi fitu dhe e kemi bërë shtetin. Unë sinqerisht kam thënë se kush e ka firmosur kontratën për të vdekur për këtë tokë, për mua është Feriz, është vëlla i imi, është shok i imi, ka deklaruar Faik Guri.
Për autorin e librit dhe dokumentarit, Nysret Pllana, këto promovime janë vetëm një pikë ujë në deti në raport me sakrificën sublime të heroit Feriz Guri-komandant Shpata. Megjithatë ai shprehet krenar që ishte pjesë e një epoke të rëndësishme historike të Kosovës.
Ndihem shumë krenarë që jam dhe qëllova bashkëluftëtar i një epoke të lavdishme të UÇK-së. Ndihem shumë krenar që qëllova të jem bashkëluftëtar i një luftëtari të paepur të lirisë që, hiq nuk gaboj të them, i përmasave Skënderbegiane dhe Ademjashariane, e ai është Feriz Guri, ka theksuar Nysret Pllana.
Dëshmori i kombit, Feriz Guri, ra heroikisht më 22 prill të vitit 1999 në fshatin Goranc të Hanit të Elezit. Në 15 vjetorin e rënies së tij, u shfaq edhe dokumentari si dhe u promovua kënga që iu kushtua komandant Shpatës.