"The World is Mine" nga Kosova në Bienalen e Uillanou

Varshavë, 30 prill - Për herë të parë në historinë e këtij Bienali të 24 edicioneve dhe në historinë e këtij Muzeu të Posterit do të jetë pjesë e tij edhe posteri The World is Mine i artistit nga Kosova Rrezeart Galica. Posteri The World is Mine i artistit Galica u radhit i 71-ti në mesin e 2600 posterëve tjerë nga mbarë bota.
Bienalja Ndërkombëtare e Posterit është e para nga viti 1966 dhe më kryesorja në botë në zhanrin e posterit. Në edicionin e 24-të e Bienales së Posterit në Uilanou të Varshavës kanë aplikuar me 3814 posterë 1672 autorë, nga Polonia 414 aplikantë dhe nga shtetet tjera respektivisht 2655.
Për kategorinë A, do të garojnë 2601 posterë për të fituar vendin e parë (medalja e artë), vendin e dytë (medalja e argjendtë), dhe e treta (medalja e bronztë) dhe për medaljen e artë nga kategoria B garojnë 1213 posterë.
Pjesë e jurisë janë: Stephan Bundi, nga shkolla e dizajnit në Bern, Dawid Crowley, kritik i artit dhe magjistër i dizajnit grafik nga Kolegji Mbretëror i Artit në Londër, Kenya Hara, dizajner i njohur, Jerzy Porębski, profesor në Fakultetin e Dizajnit Industrial dhe Akademisë së Arteve të Bukura në Varshavë, Silvia Sfligiotti, profesoreshë dhe kritike e dizajnit në Milano të Italisë, Jakub Stępień, i listuar si njëri nga top 50 artistët botërorë të rëndësishëm të posterit.
Sot në botë ekzistojnë disa muze por ai më i më hershmi është muzeu i posterit në Uilanou (polonisht: Múzeum Plakatu w Wilanowie) është muzeu i parë dhe më i vjetri i posterit në botë, i cili u hap më 1968 si degë e Muzeut Nacional të Varshavës në Poloni.
Në themelimin e tij, muzeu kishte 13.000 artikuj, duke përfshirë rreth 500 posterë të ruajtur që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Koleksioni i muzeut është vazhdimisht në rritje, nëpërmjet dhuratave nga donatorë polakë e ndërkombëtarë.
Artisti nga Kosova, Rrezeart Galica, ka thënë se duke pasur parasysh që për herë të parë nga Kosova e Shqipëria zgjidhet një poster prej që ekziston ky muze i posterit dhe kjo bienale e posterit në Uillanou reflekton në radhë të parë afirmimin e Kosovës në një ngjarje botërore në fushën e artit pamor.
"Ma merr mendja që është një arritje e veçantë për mua si artist dhe për vendin të cilit i takoj", është shprehur Galica, tek ka shtuar se kjo është Bienalja më e vjetër dhe e para në historinë e përgjithshme të posterit në rang botëror si dhe pas ekpozimit në Bienale ky poster nga Kosova do të jetë përgjithmonë e ekspozuar si pjesë e Muzeut të Posterit në Uilanou të Varshavës, Poloni.
Ky poster sipas Galicës ka qenë në mesin e posterëve të cilët i ka ekspozuar në Gjenevë të Zvicrës vitin e kaluar në ekspozitën e tij personale të pestë me radhë.
"Vetë fjalia 'The World is Mine' ka dy kuptime në vetvete: 'Bota është e imja' dhe 'Bota është e minuar' e që nëpërmjet shenjës trekëndëshe sinjalizuese të minave kam dizajnuar hartën me të cilën kam dashur të reflektoj edhe rrezikun që i kanoset botës nëpërmjet kësaj materie vrasëse. E kuptimësia merr formë edhe më të qartë kur posteri është vepër e artistit vendi i të cilit pak më shumë se një dekadë ka dalë nga lufta.
Vlen të theksohet se bienale ose trienale ekspozitash të posterëve organizohen gjithandej në botë, si në Bërno, Chaumont, Esen, Fort Kollins, Katovice, Lahti, Meksiko Sity, Mons, Moskë, Riga, Tallin, Tojama, Tërnava, Vilnius, Varshavë, Zagreb, Sofje etj.