16 Maj 2024

Rita Ora dëshiron të takohet me Presidenten Jahjaga

Londër, 12 qershor - Këngëtarja 21- vjeçare Rita Ora, e cila ndodhet në qendër të medieve botërore, i ka thënë një reviste muzikore se vendlindja llogarit në të, duke përfshirë edhe presidenten Atifete Jahjaga, me të cilën pret të takohet. Në intervistën e publikuar në “Vibe”, Rita Ora i ka vënë theks të veçantë origjinës së saj.

“Ora, e cila me kombësi është shqiptare, ka lindur në Kosovë më 1990 – pak kohë para se të shpërthente lufta brutale midis serbëve dhe shqiptarëve. Prindërit e saj, nëna e cila është psikiatre, dhe babai – pronar i një klubi, e kishin parashikuar konfliktin dhe ishin shpërngulur me Orën dhe motrën e saj në Londër, para se të shpërthente lufta”, shkruan revista “Vibe”.

“Ajo ka jetuar fare pak në Kosovë – pasi është shpërngulur në Britani kur ishte vetëm një vjeç – por, megjithatë, muzika sooavre ka pasur ndikim të madh në të. Dhe, po, i gjithë vendi llogarit në të, përfshirë edhe presidenten Atifete Jahjaga, të cilën Ora ende nuk e ka takuar, por pritet që ta bëjë një gjë të tillë”, vazhdon rrëfimin revista amerikane.

Ora citohet nga revista “Vibe” të ketë thënë se ndihet sikur ka gjithë vëmendjen e vendit të saj.

“Puna është kështu: Askush nga vendi im nuk ka arritur të jetë pjesë e MTV-së apo e top listave muzikore, kështu që për ta është diçka e madhe, e kuptoni?”, ka thënë ajo. “Definitivisht ndihem sikur gjithkush është duke më shikuar”, ka pohuar Ora.

“Është nder kaq i madh, derisa unë jam një vajzë shumë e zakonshme. E kam mundësinë të bëj histori për vendin tim, por përpiqem të mos mendoj për këtë”, i ka thënë Ora revistës.

Mirëpo, Presidenca e Kosovës nuk ka dhënë asnjë koment lidhur me ndonjë takim të mundshëm midis të parës së vendit dhe Orës.

“Njëherë nuk kam koment për këtë gjë. Jam në Washington”, i ka thënë gazetës Arbër Vllahiu, këshilltar politik për medie dhe marrëdhënie me publikun i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në intervistën dhënë revistës “Vibe”, Ora ka folur edhe për hapat e karrierës së saj.

Këngëtarja e hitit “R.I.P” ka qenë e njohur në Britaninë e Madhe që kur ishte 16-vjeçare. Para se të lansonte duetin e saj me Craig David në këngën “Awkward”, ajo ka performuar në disa gara muzikore në spektakle të ndryshme të Britanisë së Madhe. Ku tjetër ka performuar Ora?

Në lokalin e babait të saj! “Aty ka nisur vartësia ime për uiski”, është tallur ajo. Por skena “alkoolike” ka qenë e frytshme për të. Një reper e kishte zbuluar talentin e saj në një koncert të Lykke Li dhe e kishte njoftuar me Jay-Z dhe me bashkëpunëtorët e tij, me të cilët ishte takuar që në vitin 2009, por ata nuk e kishin nisur realizimin e albumit të saj për një kohë të gjatë.

Pse kanë pritur ata? “Ata e kanë ditur se muzika ime mund të jetë edhe më e madhe”, ka thënë Ora. Ajo e pranon se nuk kishte qenë shumë e durueshme. “Unë isha e etur të këndoja dhe e gjithë çka dëshiroja ishte të bëja muzikë. Dëshiroja që njerëzit të dëgjonin të gjitha ato që incizoja’, ka thënë ajo. “Ata më thoshin: Rita relaksohu. Na ke neve. Prit. Gjeje veten”.

Rita Ora ka marrë mësimin më të rëndësishëm në jetë nga tutori i saj Jay-Z. “Gjëja më e mirë që më ka mësuar Jay-Z ndonjëherë është të jem e durueshme. Merr frymë lirshëm dhe gjeje kush je dhe për çka dëshiron të shkruash. Askush nuk mund të tregojë kush je. Gjeje veten”, kishin qenë këshillat e reperit me nam.

Rita Ora aktualisht është duke shoqëruar në turne botëror, rock grupin legjendar “Coldplay”.

Në muajin shkurt, bashkëpunimi i Rita Orës me DJ Fresh “Hot Right Now” ka arritur shitje masive prej 128 mijë kopjesh, që është shitja më e shpejtë e një singli gjatë vitit 2012. Renditja në krye të “Top of UK Singles Chart” ia kishte siguruar asaj shpërblimin “Official Singles Chart Number 1 Award”.

Mediet britanike i kanë kushtuar hapësirë të madhe vajzës me origjinë nga Kosova, e cila tashmë ka pranë vetes personazhe të famshme. Rita ka bashkëpunuar me The-Dream, Drake dhe Will.i.am. Ajo më parë kishte realizuar edhe një këngë me këngëtarin Craig David.

Vajza nga perëndimi i Londrës ka kohë që ka firmosur me “Roc Nation” të Jay-Z për të punuar në studio për një album të ri me Drake dhe Kanye West. Këngëtarja e famshme angleze, Jessie J, në profilin e saj në ‘twitter’ e ka komplimentuar Orën për zërin e saj. Kënga “Hot Right NoW” gjatë këtij muaji është vënë në krye të top-listës “Fresh Music Top 20”, si dhe është renditur pas Rihannas në kanalin muzikor “4 Music”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)