Muaji i bashkatdhetarëve në Gjilan nis me koncertin e reperit Duda

Gjilan, 19 qershor Muaji i Bashkatdhetarëve, i cili është futur në kalendarin e aktiviteteve të Komunës së Gjilanit, fillon të premten me koncertin e reperit të njohur gjilanas që jeton në Londër, Burim Osmani Duda. Lajmin e ka bërë të ditur sot kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë një konference për gazetarë.
Duda e nis Muajin e Bashkatdhetarëve të premten. Gjatë këtyre dy muajve, do të ftohen të gjithë artistët dhe kontribuesit nga sporti, kultura dhe nga bizneset që të jenë pjesë e aktiviteteve, ku përfshihet edhe dita e ekspozimit të veturave të gjilanasve që jetojnë në Evropë. Kurrizi kryesor i aktiviteteve është boshti kulturor dhe artistik, që përfshinë organizimin e shfaqjeve teatrale, filmave shqip, filmave për fëmijë, i mbrëmjeve argëtuese, tha Haziri.
Ai ka bërë të ditur se Muaji i Bashkatdhetarëve përmbyllet në fund të gushit me koncertin e madh të rokerit të njohur gjilanas që jeton në Gjermani, Naser Berisha.