29 Mars 2023

Luftimi i dezinformimit dhe keqinformimit, jetik për shoqërinë kosovare

Prishtinë, 19 korrik - Të gjeturat e raportit hulumtues mbi keqinformimin, dezinformimin dhe lajmet e rreme në mediat online në Kosovë, realizuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK)  janë publikuar të martën, në një tryezë të organizuar ne Prishtinë.

Hulumtimi ka pasur në fokus organizimin e brendshëm të mediave online në Kosovë, praktikat e identifikimit të lajmeve të rreme, praktikat e publikimit të lajmeve nga burimet jashtë vendit dhe përgatitjen profesionale të stafit të mediave.

Nëpërmjet këtij hulumtimi, KMShK ka synuar që t’i identifikojë zbrazëtitë profesionale në media që kanë të bëjnë me raportimin etik dhe profesional, të analizojë shkaqet që çojnë në publikimin e përmbajtjeve mediale joetike, si dhe të jep rekomandime për të përmirësuar gjendjen ekzistuese. 

Mediat e përfshira në hulumtim kanë dhënë një pasqyrë të qartë të funksionimit përbrenda sa i përket burimeve që zgjedhin për të informuar publikun, si dhe procedurave që ndjekin për verifikimin e fakteve nëpërmjet zinxhirit editorial, por edhe sfidave me të cilat ato ballafaqohen gjatë punës së përditshme. Ndërkaq ekspertët e intervistuar kanë dhënë propozime se çfarë duhet ndërmarrë në mënyrë që cilësia e raportimit të përmirësohet dhe çfarë janë mundësitë që gazetarët dhe mediat të jenë më të vetëdishëm për burimet që zgjedhin t’i shfrytëzojnë gjatë punës së tyre.

Verifikimi i fakteve është thelbësor për gazetari profesionale, ashtu si dhe nevoja për forcimin e mekanizmave të kontrollit përbrenda redaksive, si masë parandaluese për lajmet e rreme dhe dezinformatat. 

Hulumtimi është organizuar si pjesë e një projekti të financuar nga Amabasada e SHBA-ve në Prishtinë, në bashkëpunim me BIRN. 

Rekomandimet e dala nga raporti hulumtues janë:

Akterë të ndryshëm mund të kontribuojnë në forma të ndryshme në luftimin e dezinformimit dhe keqinformimit në shoqërinë kosovare.

Redaksitë duhet të përpiqen t’i respektojnë sa më shumë standardet profesionale dhe etike të të bërit gazetari, gjë që do të minimizonte mundësinë e shpërndarjes së informacionit të rremë. 

Mediat në vend duhet t’i demantojnë dezinformatat apo keqinformatat që qarkullojnë në internet, në portale lajmesh ose faqe e grupe të ndryshme në mediat sociale. 

Gazetarët duhet ta kenë parasysh që në punën e tyre bën pjesë edhe angazhimi në demaskimin e dezinformatave dhe në luftimin e çrregullimeve informative.

Mediat duhet të punojnë më shumë në verifikimin e fakteve qoftë brenda redaksive, qoftë duke bashkëpunuar me individë ose organizata që merren me verifikimin e fakteve. 

Mediat duhet të kenë kujdes më të madh për burimet e informacionit që i shfrytëzojnë, duke synuar burime kredibile dhe të verifikueshme.

Mediat duhet t’i theksojnë të gjitha rastet kur redaktohet/editohet artikulli i caktuar.  

Mediat duhet të kenë praktika të qarta të identifikimit të burimeve dhe verifikimit të fakteve para publikimit të lajmit.  

Institucionet qeveritare duhet të reagojnë, duke e shtrirë edukimin medial në shoqëri dhe njëherësh duke krijuar ambient sa më të përshtatshëm për gazetari profesionale, si psh. nëpërmjet përmirësimit të implementimit të ligjit të punës apo edhe trajtimit më me seriozitet të rasteve të kërcënimeve ndaj gazetarëve. Kjo do të përmirësonte kushtet për gazetarinë dhe do të luftonte direkt dezinformimin.

Një pajtueshmëri mes anëtarëve të KMSHK-së që të respektojnë kodin etik dhe rritja e transparencës do të kontribuonte në luftimin e dezinformimit nga vetë mediat.

Shtimi i kapaciteve nëpër redaksi (si lektorë e redaktorë), në zinxhirin e prodhimit, redaktimit dhe publikimit të lajmit, do të ndikonte në rritjen e profesonalizmit në media. 

Gazetarëve dhe redaktorëve duhet krijuar më shumë mundësi për trajnime që kanë të bëjnë me verifikimin e fakteve, dekonstruktimin e lajmeve të rreme dhe trajtimin e burimeve të dyshimta të informacionit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)