29 Prill 2024

Këngëtarja Azizi: Muzika është oksigjeni im

Prishtinë, 2 prill - Albana Azizi është një vajzë e re, por mjaft e talentuar. Ajo ka filluar të këndonte që në moshën 6-vjeçare, por intensivisht me muzikë është dukë u marrë që nga viti 2010. Falë punës dhe përkushtimit të treguar për muzikën, ajo tashmë është bërë një emër i njohur.

Deri më tani Albana ka marrë pjesë në disa festivale. Edhe pse ka lindur, jeton dhe vepron në Zvicër, ajo vjen shumë shpesh në Kosovë për të kënduar para bashkëvendësve, për të cilët ka thënë se i kanë dhënë emocione të veçanta. Albana është një këngëtare e re, e cila premton shumë në të ardhmen.

Ajo aktualisht është duke i vazhduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë, njëkohësisht i ndjek mësimet për Solokëndim në Konservatoriumin e Bernit. Edhe pse e ka të vështirë që në të njëjtën kohë të këndojë dhe të studiojë, ajo premton se nuk do të heqë dorë as nga muzika e as nga studimet. “Muzika është jeta ime, është oksigjeni im, është gjithçka për mua. Nuk mund ta paramendoj jetën pa muzikë. Do të vazhdoj të këndoj”, ka thënë ajo.

“Epoka e re”: Albana, qe disa ditë jeni duke qëndruar në Kosovë, cila është arsyeja e kësaj vizite?

Azizi: Njëra prej arsyeve të ardhjes sime këtu ka qenë pjesëmarrja ime në “Top Festë 9”. Gjatë kësaj periudhe sa kam qëndruar në Shqipëri, pastaj edhe në Kosovë, kam pasur disa aktivitete, ku kam marr pjesë në disa koncerte në të cilat kam performuar live, siç ka qenë ai në Gjilan, ditë më parë. Po ashtu, kam zhvilluar edhe disa intervista në mediet në Kosovë dhe Shqipëri.

“Epoka e re”: Si ju priti publiku kosovar?

Azizi: Kam kaluar jashtëzakonisht mirë. Sikur edhe herëve të tjera, vendësit e mi me priten shumë mirë, me dhuruan emocione të veçanta. Me të vërtetë ka qenë kënaqësi e madhe që, para atij publik aq të madh, ta tregoj veten.

“Epoka e re”: Jeni konkurrente në “Top Fest 9”, mund të na flisni më shumë për këngën me të cilën jeni prezantuar?

Azizi: Po, patjetër. Javën e kaluar e kam pasur paraqitjen time në “Top Festë 9” dhe jam ndarë shumë e kënaqur sepse u pëlqye mjaft shumë kënga ime. Në këtë festival jam prezantuar me këngën “E fundit në Kufi”. Muzikën dhe orkestrimin i ka bërë Xhevdet Gashi, ndërsa tekstin e ka shkruar Arsim Bunjaku. Kjo kënge trajton çështjen e mërgimtarëve, pra bëhet fjalë për dashurinë ndaj atdheut. “E fundit në kufi” flet për mërgimtarët të cilët presin me mall të vijnë në vendlindjen e tyre.

“Epoka e re”: Shpresoni ta rrëmbeni ndonjë çmim?

Azizi: Unë kam punuar shumë për këtë këngë, është një këngë mjaft e mirë, e cila është mirëpritur shumë nga adhuruesit e mi. Sa i përket ndonjë çmimi nuk e di. Normalisht se ambiciet e çdo këngëtari janë që në festivale të ndryshme të marrin ndonjë çmim. Nuk i dihet, ndoshta edhe unë mund të marr në ‘Top Festë 9’ çmim. Njëherë për një herë shpresoj të hyj deri në finale, pastaj të shohim edhe për ndonjë çmim, pse jo.

“Epoka e re”: Albana, pas pjesëmarrjes tuaj në këtë festival, cili është hapi i ardhshëm?

Azizi: Kam qenë pjesëmarrëse në Evrovizion të Zvicrës me këngën “I Love it”. Kjo këngë me të cilën kam konkurruar është pëlqyer mjaft dhe ka qenë njëra prej këngëve më favorite. Kam pasur shumë përkrahje nga mediet zvicerane. Kam pasur shumë paraqitje para publikut zviceran. Edhe pse më kanë përkrahur shumë, megjithatë nuk e kam pasur fatin ta përfaqësoj Zvicrën në Azerbajxhan. Ishte një ndjenjë shumë interesante. Kam lindur dhe jam rritur dhe vazhdoj të jetoj në Zvicër. Dëshira ime ka qenë ta përfaqësoj Zvicrën në Evrovizion. Ishte një ndjenjë shumë e veçantë, pjesëmarrja në këtë eveniment. Po shpresoj që herëve të tjera do të mund ta përfaqësoj Zvicrën në Evrovizion. Nuk do të ndalem, do të vazhdoj me befasi të ndryshme. Jam e përkushtuar të ndërtoj një karrierë të bujshme si këngëtare, por dëshiroj të vazhdoj ngadalë, e në hapa të sigurt.

“Epoka e re”: Po Kosovën, një ditë mund ta përfaqësoni në Evrovizion?

Azizi: Nëse do të kërkohet një gjë e tillë nga unë, normalisht se më shumë qejf do ta bëja një gjë të tillë. Do të isha shumë e lumtur që një ditë ta përfaqësoja shtetin më të ri në Evropë - Kosovën, në Evrovizion. Po ta përfaqësoja një ditë Kosovën në Evrovizion do të ishte një krenari mjaft e madhe për mua. Prandaj shpresoj shumë në këtë drejtim.

“Epoka e re”: Po në festivalin “Kënga Magjike”, mendoni të merrni pjesë?

Azizi: Po shpresoj që do të mund të arrij të marr pjesë në këtë festival prestigjioz, pasi jam e angazhuar shumë edhe me studime, por edhe me muzikë. Por, besoj shumë se do të jem pjesëmarrëse në këtë festival. Edhe pse është herët të flas për këtë, ende s’kam menduar se me çfarë këngë do të paraqitem. Kam shumë angazhime. Shpresoj se do t’ia arrij. Është rivilegj të marr pjesë në festivalin shqiptar “Kënga Magjike”.

“Epoka e re”: Çfarë bashkëpunimi keni me kolegët tuaj?

Azizi: Kam raporte të mira me këngëtarët e tjerë, edhe pse unë jetoj jashtë Kosovës dhe me bie pak me rrallë t’i takoj, por në përgjithësi kam raporte të mira. Deri me tani kam bashkëpunuar me Hekuran Krasniqin, me të cilin e kam pasur një duet me titullin ‘Loçkë’, që ishte hit në Kosovë. Në albumin tim e kam një duet edhe me Big Bastën. Albumi im i përmban 11 këngë dhe e kam titulluar “Si herën e parë”. Shpresoj se do të vazhdoj edhe më tutje të bashkëpunoj qoftë edhe me Hekuranin, ose me këngëtarët e tjerë.

“Epoka e re”: Ku do të jetë Albana në sezonin e verës?

Azizi: Gjatë sezonit të verës do të jem në shumë mbrëmje muzikore, si në Kosovë, Shqipëri dhe në Diasporë. Sikurse edhe për këngëtarët e tjerë, edhe për mua ky sezon është mjaft i ngarkuar sepse kam shumë oferta për të marr pjesë në organizime të ndryshme si në Kosovë ashtu edhe në Diasporë. Unë kam kënduar që nga mosha 6-vjeçare, por intensivisht kam filluar të merrem me muzikë që nga viti 2010. Jam nga Gjilani, por jetoj në Bernë të Zvicrës. Jam 19-vjeçare. I vijoj studimet për stomatologji. Deri më tani edhe muzika, por edhe shkollimi më kanë ecur shumë mirë, dhe për këtë i falënderoj në rend të parë adhuruesit e mi, pastaj familjen time për përkrahje të vazhdueshëm, prindërit, motrën dhe vëllanë, në veçanti nënën time, e cila është njëkohësisht menaxhere imja. Nuk e di se si do të kisha arritur këtu ku jam sot pa ndihmën e tyre. I falënderoj nga zemra, familjen, adhuruesit, si dhe lexuesit e gazetës suaj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)