Home Sweet Home triumfon në Tirana International Film Festival


Tiranë, 11 nëntor - Sonte në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të festivalit Tirana International Film Festival (TIFF), propozimi i Kosovës për Oscars, filmi Home Sweet Home me skenar nga Zymber Kelmendi, regji nga Faton Bajraktari dhe producent Trim Musliu triumfoi me dy çmime: Skenari më i mirë dhe çmimi i kritikës FIPRESCI.
Ky film dje është shfaqur edhe në festivalin e madh në Gjermani Film Festival Cottbus dhe nesër (e shtune, 12.11.2016) pritet të shfaqet në Thessaloniki Film Festival në Greqi; ndërsa këtë muaj do të shfaqet edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Indisë IFFI.
Home Sweet Home flet për Kosovën e pasluftës dhe për historinë e Agronit i cili për disa vite ka qenë i zhdukur dhe pasi kthehet në shtëpi, ai përballet me rrethin, të cilët e kanë keqpërdorur, emrin e tij për përfitime personale.
Shumë projekte në fshat janë bërë në emrin e rënies heroike të tij. Familja e tij merr një ndihmë financiare si familje e dëshmorit dhe ato të ardhura i ka futur në kredi. Tashmë Agroni i ka dy rrugë: Të dal hapur në publik apo të pres përfundimin e projekteve. Kalon një muaj dhe Agroni është brenda.
Në oborrin e shkollës që mban emrin e tij, zbulohet shtatorja e tij. Ai tashmë ka marr një vendim.
Filmi Home Sweet Home është prodhim i shtëpisë filmike Cineproduction me producent Trim Musliu dhe bashkëproducent Senad Abduli dhe është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjencia e Filmit në Maqedoni.