15 Maj 2025

Erika, këngëtarja e shumë shpërblimeve

Prishtinë, 1 maj -  Erika Sinani njihet si këngëtarja e shumë çmimeve të fituara nëpër trojet shqiptare. Ministria e Kulturës e Maqedonisë e ka shpërblyer Erikën me “Çmimin Special” në Festivalin “Ylberi 2014” për këngën “Mrekullitë i dua”, e cila është kompozuar nga Nexhat Macula.

Erika është një vajzë mjaft ambicioze, e cila ka marrë pjesë në festivale të shumta për fëmijë dhe është shpërblyer me çmime të shumta.

Kënga e parë e Erikës ka qenë “Mësuesja”, ndërsa tani ajo numëron 10 këngë të realizuara. Erika është nxënëse e shkëlqyeshme e klasës së katërt në Shkollën Fillore “Xhemail Mustafa” në Prishtinë.

Gjatë vitit 2013 ajo ka marrë pjesë edhe në Festivalin “Ylberi në Shkup”, me këngën “Yjet në qiell”, e cila është kompozuar nga Menan Kiseri, me ç’rast është shpërblyer me çmimin e dytë. “Kjo këngë është në mesin e këngëve që më së shumti e dua, pasi ka të bëj me paqen e fëmijëve në botë”, ka thënë Erika, për gazetën “Epoka e re”.

Po në këtë vit Erika ka marrë pjesë në Festivalin “Lyra Fest” në Gjakovë, me ç’rast është shpërblyer me Çmimin e Tretë.

Në vitin 2012 ajo ka marrë pjesë në Festivalin e Mitrovicës “Cicërimat buzë Ibrit”, me këngën “Motra ime”. Po gjatë 2012-s Erika ka marrë pjesë në Festivalin “Fëmijët e Gëzuar” në Ferizaj me këngën “Gjyshi im” dhe është shpërblyer me çmimin “Paraqitja më e mirë skenike”. Ndërkaq në Gjilan ajo ka marrë pjesë në
“Festivalin Dëbora”, me këngën “Mësuesja”, me ç’rast ka marrë mirënjohje nga Komuna e Gjilanit. Ajo ka marrë pjesë në Festivalin “Ylberi” gjatë vitit  2011 me këngën “Roken Roll” dhe është shpërblyer me çmimin e gazetës “Koha” të Maqedonisë, si dhe ka marrë “Çmimin e dytë” të jurisë në Shkup.

Gjithashtu, Erika ka marrë pjesë edhe në shumë festivale të tjera në Kosovë dhe në rajon. Ajo ka thënë se lëndët më të preferuara janë matematika dhe anglishtja, kurse në të ardhmen dëshiron të bëhet arkitekte dhe dizajnuese. Për muzikën ka thënë se është hobi i saj. “Kur të rritem dëshiroj të bëhem arkitekte dhe dizajnuese, por sa i përket muzikës, dëshiroj të këndoj në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare” , ka thënë ajo.

Erika kohën e lirë e kalon duke i rënë flautit, duke lexuar libra të gjuhës angleze, libra edukativë si dhe duke pikturuar. Sa iu përket planeve për të ardhmen, Erika ka deklaruar se është duke u përgatitur për Festivalin e Ulqinit, në të cilin do të marrë pjesë me këngën “Delfini”.

“Në nëntor të këtij viti do të marrë pjesë, po ashtu në Festivalin ‘Lyra Fest’ në Gjakovë me një këngë të re. Këtë vit do ta realizoj dhe një videoklip”, ka treguar Erika, e cila është nxënëse në klasën e parë për Instrumentin e Flautit në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.

Erika, për gardërobën e së cilës përkujdeset Kimete Xhemajli, ka edhe profil të saj në “Facebook” nëpërmjet të cilit i informon fansat për aktivitetet e veta në fushën e muzikës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)