27 Prill 2024

ASI I.M.B. - i vërteti i repit shqiptar

Prishtinë, prill - ASI I.M.B., kjo është nofka e reperit më të ri shqiptar, i cili pretendon që me këngët e tij ta çojë në destinacion epitetin e fituar: “I vërteti i repit shqiptar”. Ai ka qenë në klasën e shtatë të shkollës fillore, kur kishte filluar të shkruante tekste repi.

Ai që të gjitha këto tekste i bënte “fristajlla” para shokëve me të cilët rrinte në shkollë dhe në lagje. Ai çuditërisht bënte rep veç për vete dhe shokët dhe assesi nuk dëshironte që ta publikonte apo edhe ta realizonte ndonjë këngë.

Arsyeja e vetme pse ai nuk dëshironte që t’i publikonte këngët ishte se të gjitha fjalët e teksteve në repturën ishin të vërteta. ASI I.M.B. nuk donte që për jetën e tij të dinin të gjithë. Por këtë vit “I vërteti i repit shqiptar”, siç e quajnë kritikët dhe miqtë e tij, ka vendosur të mos heshtë.

“Pasi pashë shumë reperë me tekste të shpifura, duke sharë njëri-tjetrin rëndë, duke i përfshirë në të shara edhe familjet dhe në fund fare ata ia jepnin dorën njeri-tjetrit dhe rrinin bashkë prapa kuintave, mendova dhe vendosa të mos hesht. Këta reperë të sharat i kishin aktrim, veç sa për të bërë emër në publik. Për mua veprimi i tyre është hipokrizi, sepse repi është e vetmja muzikë në të cilën e ke lirinë e plotë për t’u shprehur dhe për t’i dhënë mesazhet e duhura. Mesazhet që dilnin nga këngët e këtyre reperëve ishin degjenerim për rininë, sepse u sillnin vetëm të shara”, ka thënë për gazetën ASI I.M.B.

Ai ka treguar se shumë reperë në Shqipëri me tekstet e këngëve të tyre duan të tregohen më gangsterë dhe më të fortë se tjerët. “Ka ardhur koha që të bëhet rep në Shqipëri”, ka deklaruar në një intervistë për “Epokën e re” reperi më i ri i skenës shqiptare ASI I.M.B.

“Epoka e re”: Thatë që ka ardhur koha të bëhet rep në Shqipëri. Ç’nënkupton kjo?
ASI I.M.B.: Ka ardhur koha dhe kjo ka qenë arsyeja pse unë vendosa t’i futem repit. Dua të sjell diçka më ndryshe, si në mentalitet, si në rep. Ju futa repit për ta sjell një pikë mesazhi për të gjithë rininë shqiptare, jo për t’i sjell iluzione e ëndrra të kota si frymëzim për të, por frymëzim të shëndoshë dua t’i sjell kësaj rinie të shëndoshë.

“Epoka e re”: ASI I.M.B., prej nga kjo nofkë?
ASI I.M.B.: Nofkën ASI e vendosa duke e marrë për bazë kartën asi te loja e pokerit, sepse vetë jeta është si kjo lojë, ndërsa I.M.B. është shkurtim i fjalisë angleze “It’s My Business” (Është puna ime).

“Epoka e re”: Dmth., ASI ka nga ata që nuk i shohin punët e tyre?
ASI I.M.B.: Ka shumë njerëz që flasin dhe i fusin hundët aty ku s’duhet, duke u marrë me punët e mia, e jo me punët e veta.

“Epoka e re”: Ke këshillë apo përgjigje për ta?
ASI I.M.B.: Përgjigjja ime është kjo: Vazhdoni e flisni e përgojomëni. Kjo është puna ime. Unë bëj punën time, sepse “It’s my business-I.M.B.”.

“Epoka e re”: Mendon të fusësh anëtarë të rinj tek ASI I.M.B.?
ASI I.M.B.: Tek ASI I.M.B. e kam Col Kamerajn, i cili vjen nga Kosova. Ai është shumë i besueshëm dhe e kam mik të madh.

“Epoka e re”: Të kthehemi te muzika. Cila ka qenë kënga e parë që e ke kënduar?
ASI I.M.B.: Këngën e parë “Shqipet kuq e zi” e kam realizuar në bashkëpunim me Meriton Mememtajn dhe Dredhën, anëtar të grupit T.B.A. Bitin, kompozimin dhe tekstin e kësaj kënge i ka realizuar shoku im më i ngushtë Sindrit Begu. Pastaj kam realizuar këngën e dytë “Qëllimi i jetës”, të cilën e ka kompozuar kompozitori dhe legjenda e rokut shqiptar Gjergj Jorgaçi, ndërsa tekstin e këngës e kam shkruar vetë. Kjo këngë flet për jetën time dhe të rinisë shqiptare në përgjithësi.

“Epoka e re”: Mund të na zbërtheni pak më shumë përmbajtjen e tekstit?
ASI I.M.B.: Inspirimi për këtë tekst ishte më së i qartë. Vetë jeta në Shqipëri është e tillë, sepse shumë gjëra nuk funksionojnë. Ka shumë papunësi, rinia nuk ka punë e as perspektivë, shumë krime nuk zgjidhen nga organet kompetente, shumë të rinj detyrohen të emigrojnë, ka shumë gjakmarrje. Me një fjalë, surpriza e madhe e jetës së të rinjve është se ata nuk e dinë të ardhmen e tyre. Jeta e të rinjve është si loja e fatit - lë të vijë çfarë të vijë.

“Epoka e re”: Është hera e parë që vini në Kosovë, çfarë ju pëlqen këtu?
ASI I.M.B.: Po, është e vërtetë që jam për herë të parë në Kosovë. Me shqiptarë të Kosovës kam krijuar shoqëri për herë të parë në Suedi, ku kam jetuar. Ata më flisnin për qytetet e Kosovës dhe kur erdha këtu nuk u zhgënjeva, më doli Kosova edhe më e bukur nga ajo që kisha imagjinuar. Unë kam shumë miq në Kosovë. Kur erdha në Prishtinë më priten sikur t’i kisha të familjes. Ata m’i hapën dyert e shtëpisë me një mikpritje të paparë, me një përkujdesje që më ka habitur për të mirë.

“Epoka e re”: Po për repin e Kosovës çfarë mendoni?
ASI I.M.B.: Repi, i cili kultivohet në Kosovë, është nëna dhe baba i repit gjithëshqiptar, sepse përmban shumë elemente të mira që po lënë gjurmë.

“Epoka e re”: Për fund na thuaj diçka për planet dhe bashkëpunimet e mundshme?
ASI I.M.B.: E kam në plan që me Genc Prelvukajn dhe Enis Preshevën t’i punoj disa këngë të reja, të cilat kam dëshirë t’i lansoj gjatë këtij viti së bashku me albumin tim të parë. Shumë shpejt do të paraqitem para publikut me një videoklip të ri solo, pastaj në sezonin veror do ta lansoj një videoklip të një kënge, e cila do të realizohet në duet me një këngëtare shumë të njohur kosovare.

“Epoka e re”: Mund të flisni më konkretisht?
ASI I.M.B.: Jo, sepse dua të jenë surpriza.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)