Armagedoni: Varreza e Kujtesës së Kosovës

Prishtinë, 6 maj - \'\'Kosova, ndryshe nga Shqipëria, e cila është shtet që një shekull e një vjet, vetë ka vetëm pesë vjet jetë. Megjithatë, ky shtet i ri ka kulturë shumë të vjetër, kurse brenda vetes ka prani edhe të kulturave të shteteve të tjera, për të cilat, për shkak të besëlidhjes me shtetet evropiane e miqtë amerikanë, ka kujdes më të madh sesa për të veten.\"Ndonjëherë, kur është e nevojshme, edhe i bëhet rojë trashëgimisë së saj, qoftë ajo serbe, boshnjake, turke, kroate, rome\'\', thotë ndër tjerash publicisti Berat Armagedoni .
Në fjalë e mbajtur në edicionin e tetë të Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë të organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Armagedoni thekson ndër tjerash se 14 vjet prej përfundimit të luftës, Kosova, ndryshe nga shtetet e tjera që i kanë që sa vite, ende nuk ka Institut të Kujtesës Kombëtare, nuk ka program të ruajtjes së trashëgimisë kombëtare, nuk përkujdesje për të kaluarën historike, nuk ka bërë ndonjë film për ti kujtuar dëshmorët e kombit, as viktimat e shumta e të ndryshme të luftës; asnjë betejë, asnjë humbje, asnjë figurë kombëtare, asnjë personalitet historik e as politik.
Në vazhdim mund ta lexoni tekstin e plotë :
Domethënia e koleksioneve dhe e kujtesës kombëtare
VARREZA E KUJTESËS SË KOSOVËS
Kosova është shtet shumetnik dhe laik. Është thënë, nga shumë etnologë e historianë shqiptarë e ballkanikë, se ky vend është thesar i kulturës së Ballkanit, kurse se është e vendosur në tokën Dardane.
Nëpër kohë të ndryshme, edhe kur ka pësuar shumë në luftëra e i është okupuar territor, është dëshmuar si vend i paqes. Sido që të ketë qenë e kaluara e saj dikur e kushdo që të ketë jetuar nga të parët tanë këtu, sot brenda territorit shtetëror të vet ka kulturë shumetnike, të cilën përpiqet ta ruajë aq sa ka interesim për të, në raste të pakta edhe ta dokumentojë qoftë nëpërmjet kujtesës fiksionale e transmetuar në formë gojore nga pleq e plaka, nga rapsodë e tekste të këngëve, në raste të rralla nëpërmjet kujtesës faktike e transmetuar nëpërmjet dorëshkrimeve të rralla e të veçanta, të cilat disa nuk u kanë rezistuar luftërave, disa kohës, disa natyrës, shumica njerëzve.
Shikuar historikisht, ky shtet kurrë ska qenë shtet qengj që ka mundur ti thithë dy nëna, kurse rebel është treguar gjithherë, edhe pse ka mundur të mësojë nga kopilitë e shteteve fqinjë, të cilët i kanë dhënë shkollë edhe për shtrembërim të historisë e kujtesës kombëtare, edhe për fshehje e dëmtim të koleksioneve me vlera kulturore, historike e nacionale. Por, ky problem e kjo neglizhencë e kahershme, është e theksueshme edhe sot, kur një pjese të madhe të trashëgimisë së saj vdekja i troket çdo ditë në derë, kurse nuk i rri kush afër për ngushëllim, as sipëri për vajtim. Të paktë janë ata që ia qajnë hallin!
Edhe sot, kur marrim pjesë në edicionin e tetë të Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë, kur bashkëpunojmë me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë për mbajtjen e kësaj konference me këtë temë të ripërsëritur e të diskutuar për të pestën apo gjashtën herë, duke u përpjekur bashkërisht ta ngrehim lart vetëdijen për kujtesën kombëtare e për librat, kur kemi mbushur gjashtë vjet prej që është shpallur Pavarësia e Republikës së Kosovës e 14 vjet prej përfundimit të luftës.
Ky shtet, ndryshe nga të tjerët që i kanë që sa vite, ende nuk ka Institut të Kujtesës Kombëtare, nuk ka program të ruajtjes së trashëgimisë kombëtare, nuk përkujdesje për të kaluarën historike, nuk ka bërë ndonjë film për ti kujtuar dëshmorët e kombit, as viktimat e shumta e të ndryshme të luftës; asnjë betejë, asnjë humbje, asnjë figurë kombëtare, asnjë personalitet historik e as politik. Janë vetëm rapsodët ata që kanë thurur lavde për të bëmat e saj, për dëshmorët e gjallë dhe për këta patriotët e mëdhenj të paqes. Kështu që, përpos koleksionimit të disa librave dhe të pullave postare, edhe varieteteve të verës së Rahovecit, nuk mund të mburret për asnjë koleksion tjetër.
Por, e gjithë kjo e pabërë nuk do të thotë se Kosova ska identitet kulturor, kombëtar e historik. Ka, por e ka të shpërndarë dhe të shkapërderdhur, brenda e jashtë territorit të vet, edhe në biblioteka personale, edhe në biblioteka shkollore, edhe në biblioteka publike.
Ajo ka kujtesë dhe e ka të shumëllojshme dhe të dëmtuar, por institucionet e saj përtojnë ta qesin në dritë e ta rikujtojnë, përtojnë edhe ti mbështesin projektet që ofrohen për prezantimin dhe ruajtjen e saj.
Realisht e çuditërisht, në këtë shtet, i cili më shumë shquhet për paradokse sesa për epitete, edhe pse janë të paktë, më shumë kanë punuar individët sesa kanë punuar institucionet. Ka plot shembuj që dhjetëra studiues, shqiptarë dhe të huaj, kanë bërë punën që nuk kanë mundur ta bëjë një akademi.
Kur individët sfidojnë institucionet
Sigurisht jeni ndjerë keq kur vite më parë shqiptarëve ua ka provokuar kujtesën kombëtare një studiues i huaj, një Oliver Shmit, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave i Kosovës dhe anëtar i Akademisë së Austrisë, i cili, shqiptarët, në një studim që bën për prejardhjen e tyre, i quan ardhacakë në trojet e Dardanisë.
E ka provokuar vite më parë edhe me një tjetër tekst, me sajime, edhe historinë e Skënderbeut, kurse Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës përpiqet ta zhvlerësojë, njëkohësisht ta paraqesë të dhunshme sa herë që flet për luftën e fundit në Kosovë. Por një shqiptar bën të kundërtën e tij.
Pas më se 100-vjetësh të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë e pas pesë vjet studimi e kërkimi nëpër arkivat e Vjenës, Romës e Budapestit, individualisht, pa kurrfarë ndihme, as të Shqipërisë e as të Kosovës, është fjala për profesor Eqrem Zenelajn, zbulon Deklaratën origjinale të Pavarësisë së Shqipërisë të Durrësit të 26 e 27 nëntorit të 1912-s, zbulon edhe nja 200 dokumente të tjera me vlera historike, të cilat vjet ia dhuroi Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë me rastin e100-vjetorit të shtetit shqiptar.
Vite më parë edhe gazetari Ilir Ikonomi pati zbuluar në bibliotekën e Nolit në Boston një audio-incizim të rrallë në një prej takimeve të Fan Nolit në vitet e60-ta, ku në të Noli dëgjohet se flet për letërsinë në gjuhën angleze dhe për Faik Konicën në gjuhën shqipe. Po ashtu, shkrimtarëve të rinj u sugjeron se çfarë duhet të shkruajnë. Dhe e gjithë kjo është punë e individëve, të cilët, duke bërë kërkime, i sfidojnë institucionet dhe i bëjnë nder kombit e shteteve.
Shkepim cigare, por jo libra
E shteti ynë, kaq i pakujdesshëm e shumë i vuajtur për ta ruajtur e dokumentuar edhe karshi botës kujtesën kombëtare, ka hartuar një ligj për bibliotekat, për ruajtjen e koleksioneve kombëtare, me të cilin i obligon bibliotekat, edhe këtë tonën, të marrë informacion për koleksionet e bibliotekës dhe për koleksionet e bibliotekave të tjera nëpërmjet mjeteve tradicionale dhe elektronike të informacionit bibliotekar të shkruar mbi shqiptarët.
Megjithatë, edhe pse mund të kenë vullnet punonjësit e këtij institucioni për koleksionimin e materialeve bibliotekare, është e pamundur kjo dëshirë të realizohet në terren pasi, për ti mbledhur ato, nuk nevojiten durimi dhe angazhimi por, për ti blerë ato, librat e rrallë, të cilët vetë nuk i ka, i duhen paratë, pasi shumica e atyre njerëzve që kanë dokumente me rëndësi kombëtare e historike nuk janë në gjendje tia dhurojnë bibliotekës.
Një shembull për të treguar se shqiptarët nuk janë dhurues të librave na jep edhe Fondacioni Miqtë e Librit dhe Bibliotekës, i cili, që prej vitit 2008 që ushtron aktivitet në BKUK, edhe pse ka fituar dy projekte për dalje në ndihmë të bibliotekave, atij nuk i është dhuruar asnjë libër, asnjë dorëshkrim, kurrfarë dokumenti me vlerë, nga askush. Ndryshe është praktika në shtetet e tjera, tek njerëzit që kanë vetëdije të lartë për kulturën.
Shumë njerëz të huaj këtë tempull të dijes e kanë çmuar më shumë se objektet fetare, kishat, xhamitë e teqetë, pasi më shumë se këto njerëzve u shërbejnë bibliotekat. Ndonjëri edhe ia ka lënë jo kishës, as xhamisë, por bibliotekës pasurinë e vet trashëgim.
Por këtë punë vullnetare duhet ta ndajmë nga ajo obliguese. Me këtë rast, të kujtojmë se, në një projekt të mbështetur nga Zyra e SHBA-së për regjistrimin e përgjithshëm të dorëshkrimeve orientale në Kosovë, realizuar gjatë viteve 2002-2004, janë paraqitur 3 000 vëllime të dorëshkrimeve që janë në pronësi private në Kosovë.
E këtë obligim ligjor, i cili është mjaft i gjerë dhe jep shumë detyra për ti kryer, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës është përpjekur dhe po përpiqet ta ruajë duke siguruar lloje të ndryshme të koleksioneve të librave, edhe fotografi të diplomatëve shqiptarë gjatë periudhave të ndryshme historike. Megjithatë, ky institucion, edhe pse ka rëndësi e detyrë të ruajtjes e të dokumentimit të kujtesës kombëtare, po të shihet paralelisht me institucionet bibliotekare të shteteve evropiane, është shumë larg tyre, pasi i mungojnë, pikë së pari, një fonotekë dhe një videotekë.
I mungon edhe bashkëpunimi me televizione e radio, të cilët kanë fond të pasur të materialeve zanore e të incizimeve me personazhe për tema të ndryshme, veçanërisht kombëtare. I mungon, gjithashtu, një program për bashkëpunim ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për gjetjen, dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës së Kosovës e të Shqipërisë, e cila është, njëkohësisht: kujtesë kombëtare, shpirtërore, popullore dhe shtetërore. Tekefundit, shpresa e fundit e vetëdijesimit të institucioneve dhe të shoqërisë sonë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, të koleksioneve të saj e të kujtesës kombëtare mbeten, kush tjetër, përpos Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, të cilat, për ta kthyer vetëdijen e qeverisë ndaj tyre, duhet ti përgjigjen shtetit paradoksal me paradoks: të propozojnë tia ndërrojnë emërtimin, jo ta quajnë Bibliotekë Kombëtare, por Institut Kombëtar ose Fakultet i Studimeve Kombëtare.
Mbase me këtë emërtim të ri edhe punonjësit e saj do të mund të kishin jetë më të mirë se që kanë sot!
Kur ke çka të ruash
Së këndejmi, për koleksionet kombëtare dhe për kujtesën kombëtare, siç thamë që në fillim të kësaj kumtese, është folur e shkruar vite më parë ndërmjet dy bibliotekave, edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë. Koleksion, edhe pse mendja na shkon, nuk është veç një libër, një revistë, një gazetë. Koleksionin nuk e përbën vetëm një material bibliotekar.
Koleksion ka kuptim të materialit të shumtë dhe të përgjithshëm, të klasifikuar në bazë të fushës dhe zhanrit dhe atij duhet ti përgjigjet tërësia por, pasi të evidentohet. Pra, koleksion dhe koleksione janë të gjitha këto materiale, libra, revista, gazeta, harta, atlase, faksimile bibliotekare, që të grumbulluara dhe të sistemuara, sipas kriterit të klasifikimit që përzgjedhim ne, përbëjnë thesarin e kulturës kombëtare shqiptare.
E për ta argumentuar domethënien e koleksioneve po përmendim në këtë kontekst disa prej ekspozitave të koleksioneve të librave të rrallë gjatë javëve të bibliotekës në Kosovë.
Shumica prej nesh sot këtu, veçanërisht këta kolegët e mi të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, gjatë këtyre viteve të punës në këtë institucion kanë bërë koleksionime të ndryshme të materialeve bibliotekare.
Ndonjërit, me rastin e hapjes së Javës së Bibliotekës ose Konferencës së Bibliotekonomisë, i ka rënë të koleksionojë materiale bibliotekare, të cilat edhe i ka prezantuar në broshura të veçanta në këto dy aktivitete të dy bibliotekave sikurse, ta zëmë, në Javën e Bibliotekës të vitit 2003 është hapur një ekspozitë e koleksioneve të librave të vjetër dhe të rrallë.
Po në Javën e Bibliotekës në vitin 2005 është paraqitur një koleksion personal i përkthyesit e koleksionistit Baki Ymeri, kryesisht libra të rrallë në gjuhën shqipe, libra të autorëve shqiptarë në gjuhë të huaj, libra të autorëve të huaj për shqiptarët, revista dhe gazeta, letra dhe dorëshkrime, fotografi të veprimtarëve shqiptarë nga Bukureshti nga viti 1884 deri më 1995, të gjitha të mbledhura në Bukuresht.
Në vitin 2006 është paraqitur, po në Javën e Bibliotekës, një koleksion tjetër i librit të rrallë dhe të veçantë, kryesisht libra historiko-dokumentarë të autorëve të huaj të shkruar për shqiptarët, për kulturën dhe historinë e tyre, pak prej tyre edhe disa libra të autorëve shqiptarë, të cilët ose i kishin botuar në Perëndim vetë sa ishin gjallë, ose i ishin botuar nga shokët e tyre pas vdekjes.
Tradita e prezantimit të koleksioneve të veçanta, të cilët gjenden në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, vazhdon edhe në vitin 2007, kur hapet ekspozita e librave të rrallë dhe të vjetër, e periodikut të rrallë dhe të vjetër, e dorëshkrimeve të rralla e të magjistraturave dhe doktoratave.
Një vit më pas hapet një ekspozitë e botimeve të veçanta që për temë bosht kishte Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Shumica prej atyre librave ishin studimorë historikë, kishte edhe libra biografikë. Po në këtë vit hapet edhe ekspozitë e koleksioneve të librave të botuar për Kosovën me titull Kosova dhe shqiptarët në botën arabe gjatë viteve 1979 deri më 2008.
Ndërkaq, në vitin 2009, një prej punonjësve të Bibliotekës sonë, i cili nuk rron më, Jetish Kadishani, hap ekspozitën Kullat Shqiptare në Kosovë.
Realisht, këto objekte kulturore nuk janë materiale bibliotekare, por fotot e bëra në kullat e Kosovës përbëjnë koleksionim të fotodokumenteve. Po në këtë vit, pra në 2009-n, në Javën e Bibliotekës në Kosovë paraqitet një koleksion i periodikut shqiptar, revista të botuara në Kosovë e në Shqipëri, gjithashtu gazeta të botuara në Kosovë e Shqipëri gjatë viteve 1945 deri më 2008, shumica prej të cilave, ani pse nuk botohen më, kanë bërë jehonë të madhe me rastin e daljes në dritë të tyre. E në 2010-n nuk prezantohet në ndonjë aktivitet, por botohet një katalog i librit dhe periodikut të vjetër dhe të rrallë, tituj të zgjedhur, që e kalojnë numrin 800.
Këso koleksione të rralla gjenden edhe në Departamentin e Koleksioneve të Veçanta në BKK, në të cilin ekzistojnë mbi 728 vëllime dorëshkrimesh në gjuhët orientale, të cilat kanë të bëjnë me historiografinë dhe kulturën shqiptare gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Dorëshkrimi më i vjetër, i cili është i koleksionuar në mesin e gjithë këtyre dorëshkrimeve, është i vitit 1348. Ky koleksion i dorëshkrimeve ka tipologji të larmishme fushash dhe disiplinash shkencore. Në to ka vepra të karakterit letrar, gjuhësor, historik, teologjik, mjekësor, pedagogjik.
Çna mungon?
Prandaj, shtrojmë pyetjen, kur këto biblioteka kanë këso materialesh, çfarë liste të librave kanë sot bibliotekat tona, në të cilat kanë arritur ti identifikojnë ato materiale bibliotekare që u mungojnë e që i ka gjetur ndonjë punonjës i saj në bibliotekat personale ose në arkiva të shteteve. Nëse dikush ka hasur në dokumente të tilla, të cilët u mungojnë bibliotekave, por i ka dikush, deri më sot nuk kam dëgjuar të flitet në këtë institucion.
Po kjo bibliotekë me këta punonjës duhet të bëjë përpjekje ti sigurojë, në raste të veçanta e kur flitet për autorë të rëndësishëm, të gjitha botimet e një libri, edhe dorëshkrimin e tij, pasi ndokush, përpos bibliografisë analitike, është i interesuar ta hulumtojë edhe bibliografinë tekstuale, e cila në fushën e letërsisë quhet gjenetikë e tekstit.
Sot cilido shtet mund ti flasim e tia mbushim mendjen duke dokumentuar dëshmi të ndryshme të Kosovës, çfarëdo koleksione të materialeve bibliotekare, me të cilat tregohen vjetërsia dhe kultura e këtij shteti. Por askujt smund tia mbushim mendjen duke i rrëfyer, sado që tregimtarë e të besueshëm mund të jemi para tyre. Fjala e folur nuk ka kurrfarë vlere para asaj së shkruar. Të parën e merr era, të dytën mund ta përpijë vetëm dheu nëse, helbete, ndodh ndonjë tërmet! Ose nëse i teket nënës natyrë ose të madhit Zot të na groposë ose zhdukë nga faqja e dheut sikur thuhet se janë zhdukur qindra kombe, qindra gjuhë, qindra identitete.
Së këndejmi, koleksion kombëtar është edhe trashëgimia albanologjike. Kujtesë kombëtare është edhe kujtesa historike. Megjithatë, është mirë të reflektojmë rreth të dyjave, në çfarëdo mënyre që na ofrohen, pasi mund të zbulojmë fakte dhe ti vëmë në raport krahasimi të rejat me të vjetrat, të ndodhurën me të mundshmen.
Realisht, edhe kujtesa kombëtare, nëse realizohet në formë të shkruar ose në video, mund të koleksionohet, varësisht prej përmbajtjes së temës me atë ose ata që kemi zgjedhur të flasim, të kujtojmë e të reflektojmë. Duke aplikuar këtë komunikim, kujtesën mund ta bëjmë fizike, nga ajo që kohë më parë e kishim si nocion abstrakt, si metafizike. E kjo kujtesë, edhe pse rrëfehet, pasi të bëhet fakt, mund të na bëhet mentore për zbulimin e koleksioneve të reja, të cilat i ruan dikush tjetër. Pra, kujtesa mund të sjellë rezultat.
Ka bashkëpunim, ska venerim
Kontribut të jashtëzakonshëm për koleksionim të librave e dokumentim që ato ekzistojnë në fondet e bibliotekave, me rastin e botimit të bibliografive, kanë dhënë edhe bibliografët e Shqipërisë e të Kosovës. Të parët kanë botuar dy tekste bibliografike, Bibliografia e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare (1913-1944), tekstin tjetër Libri shqip 1555-1912 në fondet e Bibliotekës Kombëtare.
Kurse bibliografët e Kosovës, të Departamentit të Bibliografisë, atë të mëparshmit dhe të tashmit, kanë nisur ta qesin në dritë një listë të gjatë të librave, nga viti 1944-1999, por jo të gjitha gjenden në fondet e BKUK-së. Vështirësi gjatë punës së tyre ka paraqitur terreni i gjerë i botimit të librave, mungesa e një liste të librave shqip të botuar në kohën e ish-Jugosllavisë brenda hapësirës së saj të gjerë dhe kujtesa e dobësuar e botuesve dhe e bibliografëve.
Për ta pasuruar e mbajtur të freskët kujtesën kombëtare, të cilën e mbajnë gjallë, padyshim, koleksionet kombëtare, shumë biblioteka evropiane, uebfaqet e të cilave i shikova gjatë javës së kaluar, në kontaktin e tyre kërkonin bashkëpunim edhe me koleksionistët që, nëse ndonjëri ka ndonjë material që nuk gjendet në bibliotekë, nëse nuk ka mundësi tia dhurojë, të arrijnë marrëveshje për blerje të tij.
Këtë shembull të bashkëpunimit duhet ta ndjekin edhe dy bibliotekat tona, të cilave u ndodh shumë rrallë të publikojnë informacione edhe rreth aktiviteteve të veta, madje spo janë në gjendje ta mbajnë e ti bëjnë publicitet të vetmit portal albanologjik kombëtar, me të cilin kanë nisur të mburren tepër vitet e fundit.
Kujtesa kombëtare si film fiksional
Kujtesa kombëtare është e rëndësishme të dokumentohet me kohë, derisa ngjarjet janë duke ndodhur, e jo të kujtohet e kaluara duke shkruar në kohën e tashme pasi atëherë, më parë sesa së vërtetës, i prinë e mundshmja. Prandaj, duke u rishkruar kujtesa kombëtare në mënyrë të tillë, në formë të kujtimeve, që është dashur dhe duhet të shkruhet në formë të dëshmive, duke i humbur në raste të rralla qëllimisht ato, është zbehur edhe historia, sepse është shtrembëruar e vërteta sikur, ta zëmë, janë shtrembëruar shumë ngjarje edhe në historinë e Kosovës, edhe në atë të Shqipërisë.
Edhe zbulimi i dokumenteve të panjohura më parë ka vënë në dyshim shumë tekste historike shkollore, për shkak se disa prej ngjarjeve të saj që janë marrë si shembuj aty janë sajuar.
Kujtesa kombëtare deri më sot është ruajtur dhe vazhdon të ruhet në forma të ndryshme. Për shkak të rrethanave të ndryshme historike ajo transmetohej nëpërmjet diskursit oral, i cili shpeshherë është metamorfizuar, varianti është bërë version. Po ashtu, kujtesën kombëtare e kanë bartur edhe udhëpërshkruesit.
Shqiptarët, edhe pse një pjesë e madhe e tyre kanë ladruar në Evropë, pak prej tyre kanë bërë ashtu siç kanë bërë disa evropianë për ta, për të cilët kanë botuar edhe libra me rastin e vizitave të tyre në trojet shqiptare.
Mbase atyre shqiptarëve që kanë bredhur mund të mos u është dukur i rëndësishëm zhanri i memoarit, ose mund të mos e kenë pasur mbamendjen e shkallës së njerëzve normalë. Dmth., kanë harruar shpejt. Thënë të vërtetën, me të cilën mund të mburren letrarët, por të koriten historianët, historia, kujtesa kombëtare dhe koleksionet kombëtare janë ruajtur dhe janë shkruar së pari nga shkrimtarët, nëpërmjet veprave të tyre beletristike, patjetër edhe nëpërmjet studimeve e monografive historike.
Ta lëmë mburrjen, ta vazhdojmë punën
Për fund dhe duke dashur të mbyllet këtu diskutimi e shitja mend për këtë temë të kësaj konference, për këtë tempull të dijes, këtë varrezë të librave e të kujtesës kombëtare, shpresojmë se në konferencat e ardhshme të paraqesim statistika për pasurimin e fondit të bibliotekave tona me koleksione të librave të panjohur më parë për bibliotekat, veçanërisht të prezantojmë materiale bibliotekare të digjitalizuara, pasi sot më i rëndësishëm, më i domosdoshëm, më lehtë i pranueshëm e i lehtë për tu shpërndarë është libri elektronik, i cili, po ashtu si libri fizik, është kujtesë elektronike kombëtare, koha e së cilës ka ardhur dhe ka jetë sa vetë bota, sa vetë njerëzimi.
Por, kam drojën se, me këto pajiset elektronike që kemi, edhe këta kolegët tanë të Shqipërisë, të cilëve mezi u punon kompjuteri, ndërkaq neve gjysma e pajisjeve për digjitalizim na rrinë të fikura, edhe në vitet e tjera do ti hedhim gishtërinjtë mbi tastierë e ta lodhim mendjen duke marrë nëpër gojë sërish koleksionet kombëtare si libra fizikë, si kujtesë metafizike e trashëgimi kulturore.