03 Maj 2024

Zhvillimi i FSK-ës do të bëhet vetëm sipas ligjit

Prishtinë, 26 mars - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, të kryesuar nga Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit, temë themelore ishte raportimi i ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.

Duke hapur këtë mbledhje, Ahmet Isufi theksoi se ky është një takim i rregullt me ministrin për të parë nga afër gjendjen aktuale në FSK,sfidat me të cilat ballafaqohet, që është një vlerë demokratike në kuadër të llogaridhënies, por edhe të transparencës para institucioneve përkatëse e qytetarëve.

Në fjalën e tij ministri Agim Çeku u bëri një vështrim  të gjerë angazhimeve aktuale të FSK-ës, në realizimin e objektivave të parapara në mbështetje të ligjit.

Në këtë frymë ai foli për punën e madhe që bëhet në edukimin e brezave të rinj të FSK-ës, duke ofruar  të dhëna të hollësishme për shkollimin e kuadrove në shtete të ndryshme të botës dhe sukseset solide që arrijnë ata. Mbi  330 oficerë të FSK-ës janë të përfshirë në trajnim të ndryshme.

Në aspektin e shkollimit dhe trajnimit një kontribut të rëndësishëm japin shtetet e aleancës veriatlantike,si: SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Turqia etj. Në FSK, theksoi Agim Çeku, ekziston  gatishmëri operacionale.

 Në vijim z. Çeku foli gjerësisht edhe për 6 prioritetet e angazhimeve në zhvillimin FSK-ës.

Duke folur për masat për gatishmëri operacionale dhe nivelin e njësive , ai foli për Qendrën e Rajonale të Kërkim-Shpëtimit, e cila ndihmohet nga SHBA-ja.

Ndërkaq, përkitazi me synimin që FSK-ja të ndërtohet si një forcë e besueshme në shërbim të qytetarëve, Çeku tha se  kujdes i vazhdueshëm i kushtohet përfshirjes së pjesëtarëve nga të gjitha komunitetet edhe në nivel oficerësh  dhe udhëheqësish. 

Aktualisht, theksoi ai, dy serbë dhe dy boshnjak shkollohen në Akademinë Ushtarake të Maqedonisë.

Pastaj, ai foli për aktivitetet drejt forcimit të komponentës së FSK-ës si forcë paqeje në të mirë të Rajonit, duke përmendur pjesëmarrjen e pjesëtarëve të FSK-ës në takimet e Adriatikut, në tri ushtrime  rajonale në Shqipëri e Maqedoni etj.

Prioriteti i katërt, është që FSK-ja të jetë një forcë që zbaton detyrat, tha ministri Çeku, duke pohuar se tashmë Projektligji për dërgimin e forcave të sigurisë në botën e jashtme është në procedurë në Kuvend, ndërsa në vijim foli për trajnimet e pjesëtarëve të kësaj force të ndihmuara nga NATO-ja.

Rezultatet nuk mungojnë as në prioritetin e pestë, që  ka të bëjë me zhvillimin e kapaciteteve, sidomos në identifikimin e tyre, që bëhet në koordinim me SHBA-në.

Duke i bërë një vështrim partneritetit me SHBA-në dhe NATO-n, Çeku pasi përmendi bashkëpunimin shumë të mirë e esencial me KFOR-in, theksoi se raportet me NATO-n ndërtohen në baza afatgjata.

Ministrit Çeku nga ana e anëtarëve të Komisionit iu shtruan edhe disa pyetje, që kishin të bënin sidomos me evoluimin e FSK-ës drejt ushtrisë.

Lidhur me këtë ai tha se punohet me përkushtim që Kosova të ketë një forcë reale si vend sovran, për të përballuar sfidat me të cilat ballafaqohet, gjithnjë me partneritet me NATO-n.

Të gjitha zhvillimet dhe transformimet e FSK-ës do të ndodhin duke kaluar nëpër Parlamentin e  Kosovës, sepse FSK-ja vepron në mbështetje të ligjit.”Zhvillimi i FSK-ës do të bëhet vetëm sipas ligjit, shoqëruar nga një proces studiues”, theksoi ministri Çeku.

FSK-ja është në proces të zhvillimit që siguron sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Ajo studion sfidat, nevojat  se çfarë duhet të ndryshojë e ndërtojë, varësisht nga mundësitë që ka Kosova.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)