03 Maj 2024

VV: Ministria e Pisllëqeve të Bajramit

Prishtinë, 25 nëntor - Për Lëvizjen Vetëvendosje, Ministrin Bajram Rexhepi është dukja më e paskrupullt e të vërtetës së këtij pushteti.

“Ky ministër na i shfaqë sheshit më shumë se askush tjetër tri elementet kryesore që e karakterizojnë secilin ministër tjetër dhe vetë kryeministrin e kësaj qeverie. (1) Është i korruptuar dhe kriminel, (2) i nënshtruar deri në pikë të fundit ndaj Serbisë dhe strukturave të saj paralele si dhe (3) është i dhunshëm dhe plotësisht i papërgjegjshëm karshi popullit të vet”, ka theksuar Vetëvendosje.


Sipas kësaj lëvizje, pas skandalit të pasaportave, i cili megjithatë nuk është skandali i fundit i Bajram Rexhepit, është konfirmuar edhe njëherë që nuk ka kontratë a tender në të cilin nuk vjedhin ministrat dhe kryeministri i kësaj qeverie.


“Nënshtrimi i Bajram Rexhepit me shokë karshi Serbisë dhe strukturave të saj paralele në Kosovë është gjithashtu i lidhur me po këtë korrupsion e kriminalitet. Bashkëpunëtorët shqiptarë të kriminelëve në veri të vendit të cilëve mosshtrirja e sovranitetit të Kosovës në atë pjesë iu konvenon shumë, janë shokë të Bajram Rexhepit kurse importuesit e mallrave të Serbisë në Kosovë janë financuesit e Hashim Thaçit dhe partisë së tij.

Është shumë e qartë që pushtetarët fashistë në Serbi nuk do të dëshironin asnjëherë ndërrimin e kësaj qeverie, duke qenë se ka aq shumë përputhje në mes të planeve të Serbisë dhe veprimtarisë së Qeverisë së Kosovës” thekson ky subjekt politik.


Sipas Vetëvendosjes, kjo qeveri, gjegjësisht Bajram Rexhepi, megjithatë nuk e ka kursyer forcën e shtetit ama atë e ka përdorur vetëm kur përpara i kanë dalë qytetarët e këtij vendi.

“Në Kosovë, sikur që nuk ka ministri të zhvillimit por të shkatërrimit ekonomik, njësoj nuk ka Ministri të Punëve të Brendshme por Ministri të Pisllëqeve të Bajram Rexhepit. Vullnetin tonë për çlirim të plotë, për zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, për barazi e drejtësi, po e pengojnë një tufë kriminelësh si puna e Bajram Rexhepit.

Por historia na e mëson që nuk ka pengesë e cila e shuan vullnetin e një populli. Fuqia jonë është shumë më e madhe se sa ajo e pushtetit, mjafton që të bëhemi bashkë”, ka thënë Vetëvendosje

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)