15 Maj 2024

Vlerësohet mbështetja e UNOPS-it për Burgun e Sigurisë së Lartë

Prishtinë, 8 tetor -  Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi priti sot në takim Drejtorin e Zyrës për Projekte të UNOPS-it për rajonin e Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, Bruce McCarron dhe stafin e tij më të ngushtë.

Në fillim të takimit Zëvendëskryeministri Kuçi falënderoi z. McCarron si dhe UNOPS-in për përkrahjen e vazhdueshme financiare, organizative dhe në ngritjen e kapaciteteve vendore që kjo organizatë i ka dhënë Kosovës tash e sa vite.

Më konkretisht, Kuçi e falënderoi UNOPS-in për punën jashtëzakonisht të mirë dhe kualitative që po bëhet në Burgun e Sigurisë së Lartë, i cili pritet të inaugurohet gjatë këtij viti. Zëvendëskryeministri Kuçi shfrytëzoi rastin që edhe personalisht të ftoi McCarron dhe stafin e tij në ceremoninë inauguruese të Burgut të Sigurisë së Lartë.

Lidhur me këtë të fundit, Kuçi deklaroi se: “Qëllimi im kryesor si Ministër i Drejtësisë ishte që të ndërtojmë një Burg të Sigurisë së Lartë në përputhje me të gjitha standardet evropiane e botërore dhe një burg në të cilin të drejtat e të burgosurve zbatohen me përpikëri të plotë. Në këtë drejtim, besoj që së bashku kemi krijuar të gjitha predispozitat që ky vizion i yni i përbashkët të gjejë aplikim në praktikë dhe për këtë jam i lumtur.”

Të dyja palët vlerësuan lartë bashkëpunimin e deritanishëm dhe u pajtuan që ky bashkëpunim i mirë të vazhdohet edhe në fushat e tjera. Në mënyrë specifike, Zëvendëskryeministri Kuçi pranojë garanci nga z. McCarron që UNOPS do të ndihmojë në krijimin dhe implementimin e iniciativës për Akademinë e Drejtësisë – iniciativë kjo e cila pritet të procedohet së shpejti për miratim në Qeveri, ndërsa pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas vitit 2014.

Palët në takim biseduan edhe për ndryshimet pozitive që po ndodhin në përgjithësi në Kosovë dhe në veriun e vendit në veçanti.

Në këtë drejtim, Zëvendëskryeministri kërkoi ndihmën e UNOPS-it që së bashku me Qeverinë e Republikës së Kosovës të hartojnë dhe zbatojnë projekte konkrete që do të përmirësojnë dukshëm infrastrukturën institucionale në veri të vendit. Për kërkesën e tillë McCarron ofroi garanci që UNOPS-i është i gatshëm që së bashku me Qeverinë e Republikës së Kosovës të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që projektet e tilla të konkretizohen dhe që e gjithë kjo të rezultojë në përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës në veri të vendit.

Zëvendëskryeministrit Kuçi në këtë drejtim tha se “Qeveria e Republikës së Kosovës synon që përmes investimeve të vazhdueshme dhe konkrete të përmirësoj gjendjen e infrastrukturës institucionale në veri të vendit,” gjë e cila sipas tij rrjedhimisht do të ndikojë në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve.

Gjatë këtij takimi që u karakterizua nga një frymë shumë bashkëpunuese dhe miqësore, Zëvendëskryeministri e njoftoi edhe njëherë UNOPS-in për disa nga planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ndër to, Kuçi përmendi planin konkret për krijimin e “Agjencisë së Inxhinieringut” në nivel qendror, si dhe planin tjetër përmes së cilit të gjitha procedurat e prokurimit do të bëhen përmes prokurimit elektronit. “Të dyja këto iniciativa do të jetësohen përmes miratimit të ligjeve përkatëse”, tha Zëvendëskryeministri Kuçi, ndërsa z. McCarron shtoi se “UNOPS është i gatshëm të vazhdojë të ndihmojë edhe në jetësimin e këtyre dy iniciativave siç edhe është duke u bërë me planin për krijimin e Agjencisë së Inxhinieringut në nivel të Kosovës.”.

Krejt në fund palët u pajtuan që bashkëpunim i deritanishëm duhet të shërbejë si shtytje për thellimin dhe zgjerimin e fushave të bashkëpunimit duke filluar qysh tani përmes finalizimit të punimeve në Burgun e Sigurisë së Lartë, jetësimin e iniciativës për Akademinë e Drejtësisë, si dhe punës së përbashkët drejt përmirësimit të infrastrukturës në veri të vendit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)