05 Maj 2024

Veriu sërish tronditet nga një shpërthim

Mitrovicë, 18 shkurt - Pjesa veriore e Mitrovicës, sërish tronditet nga një shpërthim ku cak i sulmit ishte një serb, të cilit iu hodh një granatë dore në oborr, të dielën mbrëma.

Policia e Republikës së Kosovës thotë të ketë pranuar informatën rreth orës 19 e 30, nga vet ankuesi, i cili jeton në Lagjen e Boshnjakëve.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se fatmirësisht nuk ka të lënduar nga ky incident.

“Policia ka dalë në vendngjarje, dhe pas vlerësimeve të para hetimore, ka vlerësuar se një granatë dore e tipit M-75, prodhim Jugosllav, besohet të jetë hedhur në këtë oborr. Ndërsa me rëndësi është që nuk ka të lënduar në njerëz,” tha ai.

Pronari i shtëpisë, ka njoftuar për dëme të vogla materiale, kryesisht të shkaktuara në xhamat e banesës.

Reagimi i parë për këtë incident ka ardhur nga Beogradi, ku zyra e tij për Kosovën, e ka cilësuar këtë sulm si “urim për ditën e Pavarësisë së Kosovës.”

Zona matanë lumit Ibër në Mitrovicë, e banuar me shumicë serbe, ka qenë arenë e disa shpërthimeve gjatë ditëve e javëve të fundit.

“Ajo që është shqetësuese, gjithsesi janë rastet e tilla që vazhdojnë të përsëriten, dhe kohët e fundit kryesisht në veri të Mitrovicës,” tha Hoti.

Policia vlerëson se shpërthimet e shpeshta kanë ngritur një dozë pasigurie në popullatë dhe shqetësim tek forcat e rendit, të cilat kanë arritur që të lidhin disa shpërthime, me motivin e njëjtë.

Mirëpo, sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Mitrovicës, ende nuk është gjet një lidhje për rastin e mbrëmshëm me shpërthimet e kaluara. Përveç se është përdor i njëjti mjet shpërthyes, granatë dore e prodhimit jugosllav.

“Disa tjera më herët e kemi ndërtuar një motiv të mundshëm, për faktin se kanë qenë individ të punësuar në institucionet e Republikës së Kosovës, qoftë në nivelin lokal apo atë qendror, dhe kryesisht prona dhe pasuria e tyre ka qenë cak i sulmit. Ndërsa ky i fundit është i paqartë,” tha ai.

Autoritetet në Prishtinë, kryesisht akuzojnë strukturat paralele serbe të sigurisë që veprojnë në veri të Mitrovicës për incidentet që ngjajnë atje.

Për këto institucione, shefat e qeverive në Kosovë e Serbi, do të diskutojnë gjatë takimit të tyre që pritet të zhvillohet të martën dhe të mërkurën në Bruksel.

/rel/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)