Thaçi: Të bashkohemi në luftën kundër trafikimit me njerëz

Prishtinë, 18 tetor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën e organizuar për Ditën e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.
Presidenti Thaçi ka theksuar se shumë njerëz anembanë botës janë duke u përballur me këtë fenomen të turpshëm dhe as Kosova nuk është e përjashtuar prej tij.
Ky fenomen duhet të parandalohet përmes veprimeve dhe masave konkrete, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se është momenti i duhur që të gjithë të bashkohemi, që të parandalojmë dhe luftojmë këtë krim, në të gjitha format e tij dhe njëkohësisht të bëjmë më shumë për mbrojtjen e viktimave të trafikuara.
Për të pasur sukses në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz, si dhe në sigurimin e ndihmës dhe mbrojtjes së viktimave të trafikuara, presidenti Thaçi ka thënë se patjetër që nevojitet një bashkëpunim i të gjithë mekanizmave dhe autoriteteve në nivelin shtetëror.
Republika e Kosovës nuk mund dhe nuk do të qëndrojë e heshtur në luftimin e trafikimit me njerëz. Trafikimi me njerëz është një çështje që na prek të gjithëve dhe në të njëjtën kohë rrezikon të ardhmen e të gjithëve, ka shtuar ai.
Sipas presidentit Thaçi, është përgjegjësi e çdo institucioni dhe çdo personi në Kosovë, që të angazhohet për ti dhënë fund trafikimit me njerëz në të gjitha format e tij.
Presidenti Thaçi ka potencuar se autoritetet kompetente për parandalimin dhe luftimin e trafikimit më njerëz, si dhe ofrimin e ndihmës dhe mbrojtjes së viktimave të trafikuara, duhet të veprojnë për ta parandaluar trafikimin, duke denoncuar dhe burgosur trafikantët e sidomos për të ndihmuar e mbrojtur viktimat.
Sukses të plotë në luftën ndaj trafikimit me njerëz nuk mund të kemi pa mbështetjen dhe përfshirjen e të gjithë shoqërisë, ka thënë presidenti Thaçi.
Parandalimi dhe luftimi efikas i kësaj dukurie negative, presidenti Thaçi ka thënë se na ndihmon shumë që ta bëjmë Republikën e Kosovës një shtet me imazh të lartë në opinionin ndërkombëtar, ku nuk do të ketë hapësirë për trafikim me njerëz dhe ku respektohet dinjiteti i njeriut.
Pjesë e kësaj konference të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, përveç presidentit Thaçi dhe ministrit Skënder Hyseni, i cili ishte nikoqir, pjesëmarrës ishin edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ambasadori amerikan Greg Delawie, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ai i punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, etj.
Gjithashtu, të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe një numër i madh i përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile që japin kontribut të vazhdueshëm në luftimin e kësaj dukurie negative
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, potencoi se është rritur përkushtimi dhe aktivitetet e përbashkëta institucionale për parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore por kërkohet ende angazhim i shtuar kundër kësaj dukurie.
Qëllimi ynë i përbashkët është veprimi dhe rezultatet pozitive kundër trafikimit. Duhet të jemi të gatshëm të marrim modele të suksesshme të luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore, ashtu që të jemi sa më efektiv në punën tonë, theksoi ministrja Hoxha dhe vuri në dukje se Kosova është bashkëpunëtore e denjë në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.
Vendimi i ministres Hoxha për rishikimin e Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, është synim për fuqizimin e mëtejmë të legjislacionit të fushës penale dhe kundër të gjitha formave të trafikimit.