27 Prill 2024

Tensione dhe bllokime të rrugëve në veri

Prishtinë, 14 shtator - Pas paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës se nga e premtja në veri të Kosovës do të hapen vendkalimet kufitare 1 dhe 31, autoritetet e rendit në Mitrovicë njoftojnë për rritje të tensioneve dhe bllokim të disa rrugëve lokale në veri.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se banorët lokalë serbë kanë bllokuar me rërë disa rrugë.

“Në një rrugë në afërsi të varrezave në veri të Mitrovicës, një pjesë e rrugës është bllokuar, ndërsa më vonë është vendosur një sasi e rërës për të bllokuar qarkullimin rrugor në afërsi të shkollës teknike në veri të Mitrovicës, që përkatësisht është ajo rruga që lidh veriun dhe jugun e qytetit të Mitrovicës”, u shpreh Hoti.

Edhe zyrtarët e Kuvendit Komunal në jug të Mitrovicës thonë se situata e sigurisë në veri është e tensionuar.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, tha se \"strukturat paralele dhe elementët ekstremistë\", vazhdimisht janë duke tentuar ta destabilizojnë situatën në atë pjesë të vendit.

“Është e kuptueshme që strukturat paralele dhe ekstremistët deri në momentin e fundit bëjnë përpjekje që ta destabilizojnë situatën”, deklaroi Haziri.
Autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare thuhet të jenë përgatitur për vendosjen e kontrollit doganor në vendkalimet kufitare 1 dhe 31 në kufi me Serbinë.

Riza Haziri tha se zbatimi i marrëveshjes dhe futja nën kontroll e pikave kufitare në veri është një hap i domosdoshëm.

Sipas tij, një veprim i tillë është i mirëseardhur për të gjitha komunitetet duke përfshirë, edhe atë serb.

“Besoj se jo vetëm komuniteti shqiptar, por edhe komunitetet tjera, duke përfshirë edhe komunitetin serb, që janë nën trysni nga strukturat paralele, e mirëpresin hapin për rivendosje të rendit dhe kontrollit në territorin e Kosovës; në veçanti telashet më të mëdha dihet që i kemi në komuna në veri të Kosovës”, deklaroi Haziri.

Sido që të jetë, udhëheqës të ekzekutivit kanë deklaruar se më 16 shtator, të premten, do të fillojë operacionalizimi i plotë i planit të Republikës së Kosovës, për vënien nën kontroll të këtyre dy pikave kufitare, siç kanë thënë, me rregulla strikte. (Rel) 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)