29 Prill 2024

Suedia akuzon një serb për krime lufte në Kosovë

Stokholm, 7 shtator - Prokurorët në Suedi kanë ngritur aktakuzë kundër një serbi për krime lufte në Kosovë. Sipas njoftimeve një pjesëtar i komunitetit serb, 34 vjeçari, Miliç Martinoviç, akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen masive të shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1999.

Aktakuza e ngarkon atë për vrasje, tentim vrasje, rrëmbim, plaçkitje dhe zjarrvënie në fshatin Qyshk të komunës së Pejës në Kosovën perëndimore.

Ai ishte arrestuar në prill të vitit 2010 në Stokholm të Suedisë, ku kishte kërkuar strehim. Procesi gjyqësor kundër tij pritet të fillojë të hënën e ardhshme.

Miliç Martinoviç ishte pjesëtarë i forcave të posaçme të policisë serbe të cilët akuzohen se më 14 maj të vitit 1999 kanë kryer vrasjen e 40 civilëve shqiptarë në fshatin Qyshk.

Në shtator të vitit 2010 prokuroria serbe për krime të luftës kishte ngritur aktpadi ndaj nëntë ish paraushtarakëve serbë lidhur me këtë ngjarje. Ata akuzohen për vrasje, përdhunime, shkatërrim të pronës dhe plaçkitje me qëllim të frikësimit të civilëve shqiptarë në mënyrë që t’i detyrojnë ata të largohen nga vendbanimet e tyre dhe të shpërngulen në Shqipëri.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, pjesëtar të njësive paraushtarake të njohura si “Çakajt ”,  \"janë treguar skajshmërisht të dhunshëm dhe të pamëshirshëm\", ndërsa kanë djegur më pas trupat e viktimave për të penguar identifikimin e tyre.

Në mesin e të vrarëve në këtë ngjarje ishte edhe Hasan Ceku, babai i ish kryeministrit të Kosovës Agim Ceku dhe disa anëtarë të familjes së tij.

Prokuroria serbe kishte bërë të ditur se në atë ngjarje janë të përfshirë  edhe 17 të dyshuar  që ndodhen në arrati dhe se ndaj tyre janë lëshuar fletarrestime nëpërmjet Interpolit.

Mbi 10 mijë veta janë vrarë gjatë luftës në Kosovë e cila morri fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)