19 Maj 2024

Situata në veri mbetet e pandryshueshme

Mitrovicë, 23 janar - Përfaqësuesit e strukturave komunale dhe ata të sigurisë në takimin e Komitetit lokal për siguri publike sot vlerësuan se situata e sigurisë gjatë dy javëve të fundit ka qenë e qetë në Mitrovicë, duke përfshi edhe veriun. 

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se në dy javët e fundit nuk ka pasur ndonjë incident që do të reflektohej në gjendjen e përgjithshme të sigurisë. “Në përgjithësi situata është e qetë dhe pa ndonjë ndryshim”.

Tha se barrikadat vazhdojnë të paraqesin problemin më të madh, meqë si pasojë nuk ka lëvizje të lirë për shqiptarët dhe pjesëtarët e komunitetit joserb që jetojnë në veri.

“Barrikadat vazhdojnë të qëndrojnë në zonën urbane të qytetit, si mbi urën e Ibrit, mandej te Shkolla Teknike në veri, në hyrje të fshatit Kelmend etj, duke pasur për rrjedhojë probleme të mëdha për banorët që jetojnë në veri ”.    

Nënkryetari Haziri, në këtë takim ka përmendur edhe shqetësimin e banorëve të Kodrës së Minatorëve, të cilët kërkojnë siguri për lëvizjen e tyre. “Ata prej përfundimit të luftës përballen me probleme të tilla, prandaj autoritetet e sigurisë duhet që sa më parë të heqin barrikadat dhe të krijojnë siguri për qytetarët”.

Ai përkujtoi edhe ndërhyrjen e komunës dhe drejtpërdrejt kryetarit të komunës, Avni Kastrati, për vazhdimin e transportit për këta banorë. Ceku edhe punën që është duke u bërë për rinovimin e disa shtëpive për banorët e Kodrës së Minatorëve, shumica e të cilëve kanë probleme të mëdha ekonomike.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se si pasojë e barrikadave të vendosura në rrugët magjistrale gjendjen më të rëndë e kanë banorët e tri fshatrave shqiptare të Leposaviqit. “Një punë e mirë është bërë me fillimin e qarkullimit të një kombibusi drejt këtyre fshatrave nëpërmjet Zveçanit.”.

Megjithatë ai, theksoi se banorët ndjehen shumë të pasigurtë në këtë drejtim, meqë duhet të kalojnë nëpër rrugë dytësore të Mitrovicës dhe mandej Zveçanit. Bala kërkoi nga autoritetet e sigurisë që të ndërmarrin masa për largimin e barrikadave dhe vendosjen e rendit në veri.

Si një shqetësim të vazhdueshëm sa i përket sigurisë së qytetarëve në veri, ai përmendi edhe të shtënat me armë zjarri. Tha se është bërë shprehi që grupet serbe të provokojnë qytetarët gjatë festave dhe ahengjeve duke shtënë me armë zjarri.

Potencoi se strukturat e rendit, si Policia e Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-i, duhet të jenë të vendosura dhe të izolojnë grupet e tilla kriminale, të cilët e mbajnë situatën të tensionuar.    


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)