28 Prill 2024

Situata e qetë, por e brishtë në veri të Kosovës

Mitrovicë, 26 shtator - Gjendja në veri vazhdon të mbetet e qetë, por e brishtë për shkak të barrikadave të vendosura nga strukturat paralele serbe.

Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit lokal për vlerësimin e sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës. 

Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, shprehu respekt për qytetarët e veriut, të cilët përkundër provokimeve të grupeve kriminale serbe kanë treguar maturi duke mos rënë në provokimet e tyre.

Ai veçoi në këtë kontekst sidomos banorët shqiptarë që jetojnë në lagjet dhe fshatrat e veriut, por edhe gjithë qytetarët në jug për përgjegjësinë e lartë që kanë treguar gjatë këtyre ditëve.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, foli për aktivitetet komunale që kanë të bëjnë me situatën në veri.

Ai tha se barrikadat  e vendosura nga strukturat paralele serbe kanë vështirësuar jetën e qytetarëve, veçmas atyre shqiptarë.

Drejtori Bala tha se pas kërkesave të banorëve të veriut për ushqime, komuna ka ndërhyrë duke siguruar artikuj ushqimorë dhe mjete higjienike për shumë qytetarë të lagjeve dhe fshatrave të veriut.

Bala tha se pos shqiptarëve ndihma kanë marrë edhe turqit, boshnjakët, romët, por edhe serbët.

Sa i përket qytetarëve serbë, ai tha se shumë prej tyre nuk kanë guxuar t’i pranojnë ndihmat nga komuna për shkak se janë kërcënuar nga strukturat paralele serbe. Ai tha se ato struktura janë duke i mbajtur peng të gjithë serbët e veriut.

Në takim u shtrua edhe kërkesa e banorëve të Lagjes së Doktorëve për një pikë statike kontrolli të policisë në këtë lagje. Kryetari Kastrati tha se ka pasur takim me përfaqësuesit e kësaj lagjeje, të cilët kanë shtruar nevojën për masa shtesë të sigurisë.

Lidhur me këtë, Avni Zaiti nga policia rajonale, sqaroi se kanë pranuar kërkesën e këtyre banorëve.

Zaiti tha se pas shqyrtimit të saj është konkluduar se pika statike e kontrollit nuk është zgjidhje e mirë për shkak të specifikave të terrenit.

“Është vlerësuar se zgjidhje më e mirë për ofrimin e sigurisë është lëvizja e patrullës vazhdimisht gjatë 24 orëve në atë mjedis”.          

Ndërsa komandanti i stacionit jugor të policisë, Avni Zabeli, foli për situatën në jug të qytetit. Ai tha se prej fillimit të planit operativ në veri në jug nuk është shënuar asnjë incident i vetëm.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)