30 Prill 2024

Shkatërrohet salla ku do të diskutohej për seksin

Prishtinë, 15 dhjetor - Disa persona shkatërruan mbrëmjen e së premtes në Prishtinë, sallën ku do të zhvillohej një aktivitet me diskutime për seksin dhe të drejtat e komunitetit LBGT.

Evenimenti do të mbahej në orët e vona të së premtes nga drejtuesit e revistës “Kosovo tëo point zero” në Pallatin e Rinisë.

Në rrjetet sociale, përgjegjësinë për këtë ngjarje e kanë marrë grupi i tifozave   “Plisat”, ndersa për një kohë të gjatë jashtë sallës së kuqe ku duhet të zhvillohej e ashtuquajtura “Nata e Seksit”, pati protesta.

Mësohet se për shkaqe sigurie organizatorët e evenimentit janë larguar nën shoqërimin e policisë.

Mëngjesin e së premtes një organizatë studentore me emrin “Paqja Studentore” kishte dalë po ashtu publikisht me deklarata kundër këtij organizimi, duke aluduar se mbajtja e saj është amorale dhe e shkatërron rininë kosovare.

Ata i bënin thirrje edhe drejtuesve të Pallatit të Rinisë të ndalonin një veprimtari të tillë e cila sipas tyre do ta shndërronte “Boro Ramizin” sic njihet ndryshe ky objekt, në një “Porno Ramiz”. 

Edicioni i katërt i revistes 2.0  i dedikohej debateve për seksin në Kosovë dhe doli në treg të premten. Në këtë numër, po ashtu i ishte kushtuar hapësirë e veçantë komunitetit LGBT, duke u fokusuar në situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor.