05 Maj 2024

Shënohet njëvjetori i rënies së Heroit të Kosovës Enver Zymeri

Prishtinë, 26 korrik - Me aktivitete të ndryshme duke përfshirë këtu edhe Akademinë përkujtimore nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaqi që u mbajt sot në në sallën e kuqe të pallatit të rinisë dhe sporteve në Prishtinë u shënua njëvjetori i rënies së Heroit të Kosovës  Enver Zymeri.

Një delegacion i përbashkët i Ministrisë së Punëve të Brendshme i prirë nga ministri z.Bajram Rexhepi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Pk-së  z.Shpend Maxhuni si dhe shumë kolegë, miq e familjarë kanë vizituar sot familjen e Enver Zymerit në fshatin Dubovc të Vushtrrisë.

Pas vizitës delegacioni ka vazhduar në drejtim të varrezave të fshatit Dubovc ku janë vënë kurora pranë varrit të Heroit të Kosovës Enver Zymeri.

Ngjarja tjetër e radhës me rastin e shënimit të përvjetorit të rënies së Enver Zymerit ishte  vendosja e gurëthemelit të lapidarit të Heroit në hapësirën e objektit të ri të administratës së PK së, nga ana e Ministrit të MPB, z.Bajram Rexhepi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Shpend Maxhuni, duke filluar nga ora 15:00.

Edhe në Akademinë përkujtimore që u mbajt në Pallatin e rinisë dhe të sportit në Prishtinë ku ishin të pranishëm zyrtarë të lartë nga jeta politike, zyrtarë të Policisë së Kosovës si dhe qytetarë të shumtë, u çmua lartë shëmbëlltyra dhe përkushtimi i Heroit të Kosovës Enver Zymeri.

Ministri i punëve të brendshme z.Bajram Rexhepi, në këtë Akademi përkujtimore tha se Enver Zymeri ra në krye të detyrës së shenjtë të zbatuesit të ligjit, në betejë për të ruajtur rendin kushtetues dhe për të zbatuar ligjin në tërë territorin e Republikës së Kosovës:

“Shëmbëlltyra njerëzore e Enver Zymerit - Heroit të Kosovës, dhe përkushtimi i tij profesional për përmbushjen e detyrës do të kujtohen me mburrje dhe nderim përgjithmonë, si shembull i sakrificës, nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për sigurinë dhe stabilitetin e të cilëve Enveri me vetëdije të lartë shtetërore dhe gatishmëri të patrembur flijoi jetën e tij” – theksoi ndër të tjera ministri Rexhepi.

Edhe Drejtori i përgjithshëm i PK-së z.Shpend Maxhuni në fjalën e tij të rastit në këtë Akademi përkujtimore tha se Enveri do të kujtohet për të mos vdekur kurrë si një njeri me vlera dhe virtyte të larta:

“Ideali dhe figura e Enver Zymerit – Hero i Kosovës, kurrë nuk do të vdesin sepse ai la pas vete mbi 7 mijë vëllezër dhe motra pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët vazhdojnë rrugëtimin drejt realizimit të idealeve dhe amanetit të tij. Puna dhe vepra e tij atë e ka bërë të pavdekshëm në kujtimet e të gjithë qytetareve te Republikës se Kosovës dhe me gjerë duke qenë shembull i sakrificës për ideale” – tha z.Maxhuni.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)