29 Prill 2024

Shënohet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”

Prishtinë, 19 tetor - Në kuadër të aktiviteteve të shumta që po mbahen për të shënuar ”Javën për të drejtat e viktimave të krimit”, sot në Prishtinë u mbajt një ceremoni, për të nderuar viktimat me qëllim të ngritjes së vetëdijes për të drejtat e tyre.

Me këtë rast kryeprokurori i shtetit z. Ismet Kabashi, kërkoi angazhim gjithëpërfshirës të autoriteteve dhe mekanizmave, si dhe kërkoi përkrahjen e qytetarëve që t’iu dalin në mbrojtje viktimave, të çfarëdo natyre qofshin ato.

Kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi theksoi se: “Gjatë punës shumëvjeçare si prokuror ka qenë dëshmitar i dhimbjes, tronditjes dhe pasojave të viktimave, të cilat shpeshherë kanë qenë shkatërrimtare. Tani si Kryeprokuror i Shtetit siguroj se të gjithë prokurorët do të ushtrojnë autoritetin e tyre për të respektuar të drejtat e viktimave, për t’i trajtuar ato me dinjitet dhe për tu kujdesur për realizimin e të drejtave të tyre, duke përfshirë edhe të drejtën e kompensimit nga dobia pasurore e fituar me anë të krimit”.

Kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi kërkoi që viktimat në procedurat penale të trajtohen me drejtësi dhe dinjitet.

Ndërsa, zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Drejtësisë, prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha se rendi dhe ligji është prioritet i gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht është prioritet i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që nënkupton që njerëzit të kenë respektin për dinjitetin e tyre, për të drejtat e tyre, gjatë gjithë jetës së tyre.

“Beteja për drejtësi nuk është e lehtë, nuk është fituar kurrë deri në fund, por nuk është e pa shpresë. Betejën për drejtësi e fiton çdo qytetar kur e ka guximin, kur kemi prokurori efikase dhe gjyqësor profesional”, deklaroi ministri Kuçi.

Nga ana tjetër edhe kryetari i komunës së Prishtinës, z. Isa Mustafa tha se edhe kryeqyteti është i interesuar të përkrahë viktimat e krimit. Sipas tij është një qytet që gjithnjë e më tepër po popullohet dhe një qytet që ka kundërthënie zhvillimore.

Për nderë të viktimave të krimit mysafire nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin edhe znj. Michelle Scott, Koordinatore e viktimave, për Qarkun Lindor të Karolinës së Veriut dhe znj. Joye Frost, ushtruese detyre e drejtoreshës së Zyrës për viktimat e krimit, në Washington.

Me këtë rast znj. Scott tha se “Java për të drejtat e viktimave të krimit”, ka për qëllimin nderimin e viktimave të krimit dhe përpjekjet për të siguruar që viktimat e krimit të kenë të drejtat e tyre brenda sistemit të drejtësisë dhe sigurisht se populli dhe institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të ndërtojnë të ardhmen e viktimave dhe ne, si përfaqësuese të SHBA-ve, jemi shumë të kënaqur që jemi partner në këto përpjekje.

Gjatë kësaj ceremonie ishin të pranishme dhe i rrëfyen historitë e tyre edhe një viktimë vendëse, e dhunës në familje, dhe një viktimë e krimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë arritur t’i tejkaloj padrejtësitë dhe shkeljet që u janë bërë dhe sot jetojnë jetën me shpresë për një të ardhme të suksesshme të tyre.

“Java për të drejtat e viktimave të krimit”, do të shënohet edhe në qytete të tjera të Kosovës dhe po mbahet nën patronazhin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)