03 Maj 2024

SHBA, 400 mijë dollarë Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës

Prishtinë, 5 mars - Në ambientin e ndërtesës se administratës së Policisë së Kosovës sot u mbajt një ceremoni me qëllim të dhurimit të sirtarëve dhe pajisjeve tjera për ruajtjen e dëshmive, donacion ky që kap vlerën rreth 400.000 dollarë.

Ky donacion që i është dhuruar Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit nga Qeveria Amerikane, në të ardhmen do ta ndihmoj dhe lehtësoj shumë punën e policisë sidomos kur bëhet fjalë për ruajtjen e dëshmive.

Në këtë ceremoni u bë edhe nënshkrimi i dokumentacionit për pranim dorëzim të donacionit nga Zëvendës shefja e misionit në ambasadën e SHBA-ve në Republikën e Kosovës, znj. Kelly Degman, Ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, Kryeprokurori i Shtetit, z.  Ismet Kabashi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Zëvendës shefja e misionit në ambasadën e SHBA-ve, znj Kelly Degnan, me këtë rast tha se ky projekt do t’i mundësojë Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës që të sigurojnë më mirë dëshmitë e mbledhura gjatë hetimeve të krimeve duke cekur se projekti vjen si si rezultat i investimit prej rreth 400 mijë dollarësh prej Fondit për ndihmë të jashtme të ShBA-ve.

Znj. Degnan në këtë ceremoni potencoi se aftësia për të deponuar dhe ruajtur dëshmitë në mënyrë të sigurt përbën një hap tjetër të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar një sistem të besueshëm të drejtësisë sepse mundëson ndjekjen e suksesshme dhe të drejtë të kriminelëve dhe përmbylljen e ndjekjeve penale që marrin shumë kohë dhe përpjekje nga zyra e Prokurorisë së Shtetit dhe Policia.

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, pranimin e këtij donacioni e vlerësoi si një ditë të shënuar për Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit duke cekur se kjo do të lehtësojë punën e hetuesve të policisë, por edhe të prokurorisë.

Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, duke theksuar rëndësinë e një projekti të tillë tha se provat e siguruara në procedurën penale duhet të mbahen të siguruara, për arsye se ato prova nevojiten edhe në shqyrtimin gjyqësor.

Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Maxhuni, falënderoi Qeverinë e SHBA-ve dhe ICITAP-in duke shtuar se ky projekt do të përmirësoj sigurinë fizike të dhomave të dëshmive me dizajnimin dhe ndërtimin e një dhome qendrore të dëshmive në Prishtinë e cila përfshinë një hapësirë të brendshme të sigurt të evidencave-dëshmive.

Ai më tutje theksoi se ky është një projekt ambicioz por edhe realist i cili ka qenë i domosdoshëm për Policinë e Kosovës për të arritur qëllimin në menaxhim sa më efikas dhe efektiv të dhomave të dëshmive.

Donacioni nga i cili ka përfituar Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit përfshin dhurimin sirtarëve për ruajtjen e dëshmive në 36 stacione të Policisë së Kosovës, në gjashtë drejtori rajonale, 13 pikë-kalime kufitare dhe 10 zyra të Prokurorisë Publike të Kosovës.

Gjithashtu, projekti ka përfshirë renovimin, përforcimin dhe pajisjen e dhomave për ruajtjen e dëshmive të drejtorive rajonale të Policisë së Kosovës, si dhe ri-dizajnimin, pajisjen dhe sigurimin e dhomës qendrore për ruajtjen e dëshmive në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)